Ansambli “Mati”, fitues i festivalit “Hasi jehon 2018”

Ansambli “Mati”, fitues i festivalit “Hasi jehon 2018”

06 May 2018 10:43

Mbrëmjen e së shtunës, në Gjonaj të Hasit, me ndarjen e çmimeve për ruajtësit me fanatikë të folklorit burimor, u mbyll edicioni i 29 i festivalit “Hasi jehon”.

I nisur në vitin e largët 1975, si festival i shoqërive kulturo artistike të Rajonit të Hasit dhe i quajtur dasma hasjane, sot festivali “Hasi jehon” është shndërruar në dasmë gjithëshqiptare. Këtë sipas organizatorëve e dëshmon pjesëmarrja e organizmave kulturorë nga e gjithë gjeografia shqiptare dhe këtë e dëshmon edhe fituesi i edicionit të 29.

Juria në përbërje Sami Piraj, Dilaver Kryeziu, Hisen Dida dhe Shaqir Hasi, çmimin “Malësori” për programin më burimor ia ndau Ansamblit “Mati” nga Bureli i Shqipërisë.

Çmimi “Malësorja” iu nda ShKA “Fushë Kosova” nga Fushë Kosova, ndërsa çmimi “Lahuta” iu nda Ansambli autokton “Rugova” nga Rugova. Çmimi Nazmije Hoxha: Vlora Duraku nga Krusha e madhe.

Përpara ndarjes së shpërblimeve, në përmbyllje, drejtori i festivalit “Hasi jehon”, Haziz Hodaj tha se vitin e ardhshëm mbahet edicioni i 30, prandaj do të ketë angazhim të shtuar që ky përvjetor të shënohet me një organizim shumë më të mirë.

“Ju premtoj se edhe vitin e ardhshëm do të mbahet festivali që ta rrumbullakojmë në mënyrë sa më madhështore 30 vjetorin e këtij festivali, që është njëri ndër festivalet më te vjetra jo vetëm në Kosovë”, tha Hodaj.

Në emër të jurisë, Sami Piraj tha se “festivali ‘Hasi jehon’ ka arritur t’i krijojë konturat e një manifestimi jashtëzakonisht të rëndësishëm të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave të trashëgimisë të cilat janë bartur brez pas brezi si identitet kombëtar”.

Ai tha se juria nuk e kishte të lehtë por shtoi se vendimet i kanë peshuar me elementet e trashëgimisë.

Përveç tri çmimeve kryesore, juria ndau edhe këto çmime:

Instrumentisti më i dalluar: Baki Xhaferi nga ShKA “Anadrinia” nga Dejni i Rahovecit

Orkestra më e mirë: Ansambli “Mati” nga Burreli

Grupi i rapsodëve: Grupi polifonik nga Gjirokastra

Rapsodi më i dalluar: Selajdin Miftari

Rituali më objektiv: Ansambli “Romaja”

Kostumet më autoktone: Ansambli “Romaja”

Loja popullore: Ansambli “Rapsha” nga Tuzi

Koreografia më e dalluar: “Shqiponja” nga Shkupi

Treshja më e mirë e valltarëve: Muhamet Sinani, Myzafer Lutfiu, Fejsal Shaqiri nga Ansambli Bresana

Valltarja e dalluar: Shkurte Dauti nga Ansambli “Kruma” nga Shqiperia

Valltari i dalluar: Zekirija Kadriu nga ShKA “Bajram Shabani” nga Kumanova

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme