Kulturë

Dyndje turistësh në Muzeun e Krujës, vetëm në një ditë 1 mijë vizitorë

Monumentet e kulturës po tërheqin çdo ditë e më shumë vëmendjen dhe interesin e vizitorëve vendas, e sidomos të huajve.

Institucionet përkatëse për monumentet e kulturës këtë vit kanë bërë të mundur që çdo të diele të fund muajit dhe ditët e festave hyrja në këto institucione trashëgimie të jetë falas për vizitorët.

Kjo nisëm e ndërmarrë bën të mundur rritjen e numrit të vizitorëve shqiptarë dhe të huaj në këto vende atraksioni dhe historie.

Mbi 1 mijë vizitorë shqiptarë dhe të huaj kanë vizituar Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë, vetëm këtë të diele të fundit të muajit prill, raporton ATSH.

Viti 2018 është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndaj Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe ai Etnografik në Krujë janë përgatitur maksimalisht për t’iu përgjigjur sa më mirë numrit gjithnjë në rritje të vizitorëve.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.