Kulturë

“Biografia e Prishtinës” për jetën e shekullit njëzet

Prishtinë, 26 prill - Doracak për prishtinasit dhe vizitorët, është konsideruar të mërkurën libri i Shefki Stubllës, “Biografia e Prishtinës: Aspekte antropologjike”. Në promovimin e mbajtur në amfiteatrin e bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, autori ka treguar përmbledhtas aspekte të ndryshme të jetës private e shoqërore në Prishtinën e shekullit njëzet.

“Ky libër, konsideroj se është një kornizë, një ram, në të cilin janë vendosur ngjarjet dhe shumë ndodhi që kanë lidhje me biografinë dhe me atë çfarë përjetoi Prishtina dhe populli shqiptar”, ka thënë Stublla, i cili ishte drejtor i Muzeut të Historisë, që në vitin 1989 njihej si Muze i Revolucionit kur regjimi serb e largoi forcërisht nga puna.

Stublla ka treguar se libri është përqendruar në Prishtinën e shekullit të kaluar, kur Jugosllavitë me emra të ndryshëm shkatërruan trashëgiminë materiale dhe kulturore të kryeqendrës me pretendimin se gjithçka duhej të niste nga e para. Në “Biografinë e Prishtinës ...” ka integruar dokumente, fotografi dhe materiale të tjera arkivore që pasqyrojnë ndikimin që patën Perandoria Osmane dhe Jugosllavia në rrjedhat shoqërore. Stublla ka treguar se si pas Luftës së Dytë Botërore u rrafshuan edhe tri palë varreza shqiptare – në lokacionin e sotëm të ish-fabrikës së tjegullave, në “Kodër të Trimave” dhe në sheshin e sotëm “Adem Jashari” pranë Komunës së Prishtinës – për të shlyer historinë e pasur shqiptare të Prishtinës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).