Kulturë

Paralajmërohet shënim madhështor i përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit

Komisioni Qeveritar për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit paralajmëron manifestim madhështor të kësaj ngjarjeje të historisë sonë kombëtare, transmeton Koha.net.

Kjo doli nga mbledhja, që sot u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në të cilën mori pjesë dhe diskutoi edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Në këtë mbledhje morën pjesë përfaqësues të institucioneve të kulturës të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë po punohet jashtëzakonisht shumë në mënyrë që organizimi për shënimin të 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit të jetë sa më madhështor dhe të shënohet në mënyrën sa më të mirë të mundshme.

Pjesëmarrësit e këtij takimi diskutuan gjatë rreth agjendës për ditën e 10 qershorit për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.