Kulturë

Kaltrina Maloku dhe Imer Pantina promovojnë librat për fëmijë

Në Ditën Botërore të Librit, shkrimtarja Kaltrina Maloku ka promovuar librin për fëmijë “Ma fal buzëqeshjen”.

Ceremonia e promovimit është mbajtur në Sallën e Kuvendit Komunal në Klinë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të komunës, shkrimtarë, udhëheqës të shkollave fillore të Klinës, nxënës të këtyre shkollave, si dhe të pranishëm tjerë të fushës së letërsisë, transmeton kp.

Po gjatë kësaj dite është promovuar edhe libri tjetër për fëmijë i shkrimtarit Imer Pantina, “Rreze në katër stinë”.

Libri më i ri i shkrimtares Maloku, kësaj radhe vjen me poezi për fëmijë, përmes së cilës shkrimtarja tenton të arrijë të bëjë për vete edhe fëmijët, pasi që ky është libri i saj i parë kushtuar fëmijëve.

Më rastin e promovimit të këtij libri, shkrimtarja Maloku ka treguar se poezitë i ka shkruar me shumë dashuri për fëmijët.

Shkrimtarja Maloku ka treguar se këtë libër me poezi ia ka kushtuar nipit të saj.

“Falënderimin tim më të veçantë ia kushtoj atij që më dha idenë për të shkruar edhe një libër për fëmijë, nipit tim Gertit, të cilit edhe ia dedikoj këtë libër”, ka thënë Maloku. Ajo ka treguar se është shkrimtare e romaneve për të rritur, ndërkaq ky libër tha se është dhuratë për më të vegjlit.

Ndryshe, ky është libri i tretë me radhë i shkrimtares Kaltrina Maloku, e cila romanin e parë “Heshtja e Kohës”, e kishte botuar në vitin 2015, ndërkaq romanin e dytë “Britmat e Shpirtit” e kishte botuar vitin e kaluar.