Kulturë

“Kino-Armata”, gati për ndezjen e projektorit

Pasditja e së premtes, kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtorin për Kulturë, Yll Rugova, i ka gjetur në atë që dikur njihej sallë e Shtëpisë së Armatës e tash i referohen si “Kino-Armata”, bashkë me menaxherin e kësaj hapësire, Alush Gashin, e të tjerë pjesëtarë të komunitetit artistik.

Të shoqëruar edhe nga drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ata kanë treguar se të mërkurën, salla do të hapet zyrtarisht, shkruan sot Koha Ditore.

Kësisoj 19 vjet pas luftës, sallës i është kthyer destinimi që kishte gjatë pushtetit monist. Alush Gashi, ka thënë se diskutimi joformal është thirrur për të treguar se salla është menduar si shtëpi e filmit dhe e kulturës. Sipas tij, programi do të ideohet që të jetë në interes të qytetarëve.

“Nuk kemi një program të caktuar, por do të bëhet më pas. Ideja është që ta kemi edhe një forum për dialog kulturor. Nuk kemi menduar për hapa konkretë pasi ka pak ditë që është nënshkruar marrëveshja”, ka thënë ai duke aluduar në Marrëveshjen që të premten e kaluar kanë nënshkruar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, nëpërmjet së cilës, salla i është dhënë në shfrytëzim Komunës për 10 vjetët e ardhshëm.

I ulur në shkallët para hyrjes së sallës, kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se komuna nuk mendon që e menaxhon më së miri vetë këtë institucion. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)