Kulturë

Me Dritëroin dhe Kadarenë në kafe “Pjaca”

1. Kur u bë përurimi i librit me tregime “Njerëz të krisur” të Dritëro Agollit, në sallën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, ligjëroi shumëkush.

Dihet, sado të restaurohet, tavani i asaj salle do të vazhdojë të ruajë blozë tymi, jo nga i cigareve, por nga tymi i fishekzjarreve. Për Dritëroin megjithatë mund të flisja, por mes atij zjarrmllëku nuk m’u dha ta merrja fjalën, shkruan Zija Çela, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Nga leximi i librit më kishte lindur një pyetje, përgjigjen e së cilës ende s’ia kisha dhënë vetes dhe nuk po e dëgjoja as aty. Pyetja ishte: Çfarë ka moderne në klasiken e këtij autori, një moderne disi enigmë sepse, bie fjala, nuk e gjen të shfaqur as në strukturat e formës?

Pas ca kohësh, bëra një shkrim që e titullova “Leximi i një teksti univok” (“Drita”, shtator 1995). Sapo u lexua në dorëshkrim, me fjalën univok qysh në titull, në redaksi u shfaqën dyshime se Dritëroit do t’i mbetej hatri. Nuk e di përse, por unë mendoja ndryshe. Në atë shkrim pohoja se, sipas meje, Agolli u përket shkrimtarëve që dëshmojnë rezistencë konservuese në rrugën e tyre, duke i besuar më tepër rezultatit sesa kërkimit dhe eksperimentit.

Prandaj është i qëndrueshëm në mënyrën e shkrimit të letërsisë. Në prozat e tij, lexuesi shkollar edhe sot i gjen me lehtësi të ashtuquajturat elemente të kompozicionit, hyrjen, pikën lidhëse, zhvillimin e ngjarjeve, pikën kulminante dhe zgjidhjen e veprimit. Në raportet e tij me lexuesin, i prirë njëherësh nga ideologjia dhe filozofia, Dritëroi shkruan një letërsi të orientuar. Ai nuk e fsheh, përkundrazi, duket se bën përpjekje të vijueshme që nga tërësia e tekstit dhe përfundimi i tij, lexuesi të marrë po atë mesazh për të cilin ka shkruar autori. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Image