Kulturë

Rexhep Ismajli, anëtar i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Amerikës

Prishtinë, 20 prill – Akademik Rexhep Ismajli tashmë është në mesin e emrave më të shquar të shkencës botërore. Është zgjedhur anëtar nderi i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Amerikës. Lajmin për këtë e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, fill pasi ka marrë njoftimin nga kryetari e institucionit prestigjioz amerikan, me një histori gati 250-vjeçare.

“Ky nderim shënjon konsideratën e thellë që kanë drejtuesit e fushës suaj dhe anëtarët tanë”, citohet të ketë shkruar kryetari i Akademisë Amerikane, Jonathan F. Fanton.

Akademik Ismajli është në mesin e 36 anëtarëve ndërkombëtarë të nderit të pranuar sivjet. Mbi 170 janë pranuar këtë vit anëtarë të rregullt në mesin e të cilëve është edhe ish-presidenti amerikan, Barack Obama. Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Amerikës është themeluar më 1780, ku ndër themeluesit ishin edhe Benjamin Franklin, John Adams, Thomas Jefferson e George Washington. Mbi 200 anëtarë të saj, janë fitues të çmimit “Nobel” dhe “Pulitzer”.

Personalitete që kanë bërë alamet zbulimesh dhe kanë lënë vepra të mëdha si Charles Darwin, Albert Einstein, Alexandar Graham Bell, Winston Churchil, Akiro Kurosawa, John Updike e Nelson Mendela ishin anëtarë të kësaj akademie. Sipas njoftimit të AShAK-ut, akademik Ismajli do të marrë pjesë në ceremoninë e pranimit në Cambridge, Massachusetts, në tetor të këtij viti (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).