Kulturë

Gani Llalloshi hap ekspozitë në Slloveni

Descriptive Text

Mbrëmë në Galerinë Hest të Lubjanës është hapur ekspozita e piktorit nga Kosova që tash sa vite jeton e krijon në Slloveni, Gani Llalloshi.

Ekspozitën e shpalli të hapur ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi i cili në fjalën e tij vlerësoi punën dhe përkushtimin e piktorit Llalloshi në prezantimin e veprave artistike me motive nga vendlindja për artdashësit në Slloveni, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Llalloshi është shumë aktiv në kultivimin e këtij arti autentik dhe si i tillë është pranuar me shumë respekt në botën artistike të krijuesve të artit figurative në Slloveni”, tha Rexhepi, transmeton Koha.net.

Dhjetëra punime artistike të dimensioneve të ndryshme janë prezantuar për publikun, të cilat janë të krijuara nga frymëzimet e hershme të piktorit Llalloshi nga vendlindja e tij.

Kurse kuratorja e njohur sllovene Elizabeta Rogoviq tha se, “çdo ekspozitë e këtij artisti me rrënjë nga Kosova, që tashmë ka bërë emër të njohur ndër ne, përcillet me interesim nga artdashësit sllovenë”.

Në hapjen e kësaj ekspozite morën pjesë dashamirë të shumtë të këtij lloj arti jo vetëm nga kryeqyteti slloven por edhe nga qytete të tjera, diplomat të akredituar në Slloveni si dhe bashkëqytetarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni. Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni që e mbështeti hapjen e kësaj ekspozite, me këtë rast, për të pranishmit ofroi edhe nga një gotë vere kosovare.

{gallery}