Kulturë

Copëza jete në librin e ri të Çun Lajçit

Rrëfime me kujtime e copëza jete janë përmbledhur në librin me titull “Bekimi i Plisit të Moisiut” nga artisti i njohur Çun Lajçi, i cili u promovua ditën e hënë në Bibliotekën Kombëtare në kryeqytet.

Me tingujt e fyellit, me veshjen tradicionale dhe plis në kokë, Lajçi ka recituar një prej poezive para adhuruesve të librit dhe miqve të autorit, raporton Express i KTV-së. Pas recitimit në foltore, u ngjitën miq e bashkëpunëtorë të Lajçit për të analizuar poezitë që ai ka përmbledhur. Libri “Bekimi i Plisit të Moisiut” i dedikohet vajzës së ndjerë të autorit dhe dy artistëve të mëdhenj, Bekim Fehmiu dhe Aleksander Moisiut.

Çun Lajçi është një personazh i njohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Një tjetër pasion i tij është dhe poezia. Shpesh ai ka zgjedhur këtë formë për të bërë homazhe ndaj figurave të njohura. Por, poezinë ai e sheh edhe si një formë të revoltës ndaj problemeve aktuale në botën shqiptare.