Kulturë

Pakkush e di se shqiptari që nget tramvajin në Vjenë është autor i 8 librave

Për dhjetë vite Besim Xhelili nget rregullisht tramvajin në kryeqytetin austriak, në Vjenë. Linja më e shpeshtë e tij është tramvaji O.

Por se Besimi përveç se është shofer i shkëlqyer mund të jetë edhe një shkrimtar i suksesshëm, nuk i shkon në mend askujt nga udhëtarët.

22 vite më parë, shkrimtari shqiptar nga Tetova erdhi me familjen e tij në Vjenë. Këtu, 41 vjeçari tashmë vazhdon studimet për gjeografi dhe filozofi. Për më shumë se një dekadë ai është i punësuar në Winier Linien si shofer tramvaji, shkruan gazeta austriake Bezirkszeitung, transmeton albinfo.ch.

Në të njëjtën kohë, ai ka krijuar edhe veprat e tij. Kështu, Besimi deri më tash ka botuar shtatë vëllime të poezisë në gjuhën shqipe dhe një roman.

Me librin e tij të fundit Xhelili provoi diçka të re. Romani i tij “1803” është i shkruar në gjermanisht dhe i përkthyer suedisht. Përurimi i këtij romani është bërë në Austri, Gjermani, Zvicër dhe në Malmo të Suedisë.

“Romani është një trilogji me titull sekret që do të zbulohet në pjesën e tretë”, thotë autori. “Është një roman romancë, me një përzierje të trilerit, romanit aventuror, aksionit dhe fantazisë”, e përshkruan Xhelili romanin e tij “1803”.

Ndryshe, Besim Xhelili njihet si një nga aktivistët më të shquar të mërgatës shqiptare në Austri.

Ai është anëtar i PEN Klubit austriak, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, është një ndër themeluesit dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Është po ashtu ndër themeluesit dhe kryetar në periudhën 2011 – 2015 i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” me seli në Vjenë.