Marija Gjosevska kurorëzon natën e pestë të “Chopin Piano Fest”

Marija Gjosevska kurorëzon natën e pestë të “Chopin Piano Fest”

13 April 2018 20:07

Kishte filluar si ngjarje muzikore kushtuar dyqind vjetorit të lindjes së “poetit të pianos”, por sukseset dhe interesimi i publikut e kanë bërë “Chopin Piano Fest-in” të vazhdojë organizimin ndër vite.

Ky festival, i cili konsiderohet të jetë pjesë e identitetit kulturor të Prishtinës, në rrugëtimin e tij nëntëvjeçar po vazhdon t’i inkurajojë pianistët nga vendet e ndryshme të botës për t’i prezantuar vlerat e nivelit të lartë artistik nëpërmjet recitaleve sofistike, transmeton emisioni Express në KTV.

Pianistja nga Maqedonia, Marija Gjosevska, ka kurorëzuar natën e pestë të këtij festivali duke interpretuar veprat sentimentale të kompozuara nga të preferuarit e saj.

Krahas veprave pianistike të Handel-it, Shubert-it dhe Chopin-it ajo të mërkurën mbrëma solli tingujt e veprës së kompozitores maqedonase Bete Ilin, “Agonia dhe ekstaza”.

“Koncertin e nisa me veprën e Handel-it, e cila na tregon se duhet të jemi të fortë dhe pozitivë. Dua t’i falënderoj drejtuesit e festivalit që më kanë bërë ftesë për të mbajtur koncert në këtu në Prishtinë. Ndihem e lumtur që ka festivale të tilla për të shkëmbyer përvoja në kulturë. Jam këtu për herë të parë në Prishtinë, ku përpos veprave të mia të preferuara, performova edhe një kompozim të mikeshës sime”, shprehet ajo.

“Veprën ‘Agonia dhe ekstaza’ e kam shkruar posaçërisht për Marijan. Ajo është mike e imja dhe pianistja më e mirë në Maqedoni. Kam dashur që të kompozoj një vepër me karaktere të ndryshme, ku përshkruhet një situatë e pashpresë që gradualisht ndryshon. Një temë e vetme, por që posedon stile të ndryshme. Më pëlqeu se si Marija performoi në piano, jo vetëm veprën time, por edhe të klasikëve”, thotë ajo.

Pavarësisht problemeve të organizimit, drejtuesit e “Chopin piano Fest”, theksuan se ky festival ka për fokus artin e performimit pianistik.

“Chopin Piano Fest”, tashmë është në gjysmën e rrugës së edicionit të nëntë, ndërsa në të kanë mbetur edhe nëntë koncerte për t’u realizuar deri në fund të kësaj ngjarjeje muzikore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme