Montoya: Bibliotekat janë hapësira esenciale për hulumtime

Montoya: Bibliotekat janë hapësira esenciale për hulumtime

12 April 2018 11:05

Prizren, 12 prill – Bibliotekat nuk shërbejnë vetëm për gjetjen dhe leximin e librave, por janë hapësira thelbësore për hulumtime ngase mund të ofrojnë qasje në informata të ndryshme, që janë të rëndësishme për studentët dhe publikun e gjerë, është thënë në një takim të bibliotekistëve të mbajtur në Prizren. Pikërisht roli i ri i bibliotekave ka qenë në fokus të këtij aktiviteti, i mbajtur të mërkurën në qytetin e vjetër në kuadër të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, që ka nisur të martën në Prishtinë deri më 14 prill për t’u shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.

Në pjesën hyrëse të këtij organizimi kulturor, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, para pjesëmarrësve ka theksuar se nevojitet angazhim konkret që libri të jetë më i pranishëm tek të rinjtë. Në të njëjtën kohë ka pohuar se në bashkëpunim me institucione të ndryshme duhet të punohet në krijimin e hapësirave më të mëdha publike për lexuesit e librave.

Ndërsa drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, ka shprehur optimizmin se pjesëmarrja e madhe në këtë ngjarje mundëson diskutimin dhe ndërmarrjen e hapave të duhura për avancimin e rolit të bibliotekave.

E drejtori i Kulturës në Prizren, Ehat Oreshka, ka bërë të ditur se aktivitete të këtilla janë në shërbim të profesionistëve të fushës, që pastaj prekin edhe komunitetin e lexuesve.

Për dallim prej tyre, ligjëruesi nga Universiteti në Indiana, dr. Robert Montoya, ka bashkëbiseduar me bibliotekistët të pranishëm nga Kosova e Shqipëria rreth krijimit të strategjive hulumtuese.

Në këtë organizim është diskutuar edhe për bibliotekat elektronike. Sesioni i radhës ka qenë ai për arsimimin dhe trajnimin bibliotekar, me folës nga Kosova dhe Shqipëria (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme