Kulturë

Baleti Kombëtar me historinë e Kosovës në turne evropian

Prishtinë, 12 prill - Qysh prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës para dhjetë vjetësh e deri më tash, të paktën nëpër çdo përvjetor, imazhet e monumentit që simbolizon atë akt, NEWBORN, kanë bërë xhiro gjithandej botës. Është bërë traditë që ai çdo vit të ringjyroset dhe më pas qytetarët të ndërhyjnë në të.

Si i tillë ky monument mundëson që të krijohet një lloj dialogu mes tij dhe njerëzve. Nga ky këndvështrim, kjo ide është përkthyer në një shfaqje të baletit bashkëkohor. Kësisoj tashmë ka ardhur koha që historia e re e Kosovës të rrugëtojë edhe nëpërmjet një shfaqjeje baleti që interpretohet nga anëtarët e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Koncepti i koreografëve, Jochen Roller dhe Firederike Lampert, që kanë realizuar shfaqjen “New Born” në dhjetor të vitit të kaluar, shkon përtej monumentit duke shtjelluar një ide më të gjerë mbi lëvizjen, të qenit bashkë, solidaritetin dhe lidhjen midis së kaluarës e së tashmes. Për shtatë mbrëmje shfaqja e realizuar në bashkëpunim me Institutin “Goethe” të Gjermanisë, do të jepet në Berlin e Hamburg. Që nga e hëna deri në fund të muajit, 14 anëtarë të Baletit Kombëtar të Kosovës do të qëndrojnë në Gjermani.

Por ky është vetëm turneu i parë i këtij institucioni për këtë vit. Tri ditët e para të qershorit do t’i gjejnë balerinët në Paris, ku me ftesën e Ambasadës së Kosovës në Francë, do të interpretojnë shfaqjen “Rcomposed” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).