Nesrete Kumnova e kujton me libër të birin e zhdukur

Nesrete Kumnova e kujton me libër të birin e zhdukur

11 April 2018 12:31

31 marsi i vitit 1999 ishte data kur forcat serbe rrëmbyen Albion Kumnovën dhe shumë banorë të tjerë nga shtëpitë e tyre në Gjakovë.

19 vjet pas, prindërit e Albionit, Muharrem e Nesrete Kumnova, kishin hapur derën e shtëpisë për ta kujtuar të birin e zhdukur.

Ata kishin vendosur që ta kujtojnë në një formë tjetër, në dhomën ku është rritur e ku nuk mungojnë as rrobat e Albionit dhe kujtimi për të u dokumentua edhe përmes publikimit të një libri për të.

Libri “Monografi-Albion Kumnova, Martir i Kombit” vjen në autorësi të vetë nënës Nesrete Kumnova, e cila duke u munduar ta mbajë vetën para të gjithëve, flet për detajet se si erdhi deri te botimi i kësaj monografie.

Deri në finalizimin e këtij libri prindërit kanë pasur shumë punë, por nismës së tyre i janë bashkuar edhe shumë miq të tjerë.

Takimi për promovimin e librit të caktuar në orën 13:00 mblodhi të gjithë ata që i kanë qëndruar afër familjes Kumnova.

Në mesin e gjithë atyre që kishin ardhur ishte edhe mësuesja e Albionit, Igballe Nela.

Në nivel shtetëror, në këtë promovim, ishte i pranishëm edhe Jahja Lluka, këshilltar i Kryeministrit Haradinaj, i cili mes tjerash tha se do të bëjnë gjithçka është e mundur për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Gjithashtu zonja Nesrete falënderoi për punën edhe Dr. Arsim Gerxhaliun, i cili e kishte të vështirë të fliste, pasi thotë se kjo punë ende nuk është kryer.

Nuk munguan edhe përfaqësues të Komisionit të të Pagjeturve dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Botimi i librit “Monografi-Albion Kumnova, Martir i Kombit” u realizua me financimin e vetë familjes.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme