Kulturë

“S’ka si shpija” ringjall shpresën me shenja të luftës

Disa kënde të Galerisë Kombëtare të Kosovës duket sikur kanë dalë nga lufta. Por vërehet se dikush ka ndërhyrë në shenjat e flakës. Herë është mundur t’u japë jetë e herë ka shpërthyer me fjali ku ironia e dashuria bëhen tok. Pikturat e djegura që zënë vend në katin e parë të GKK-së janë dëshmi e një shtëpie të djegur.

Libra, gazeta e gjësende të tjera që kanë shpëtuar deri diku, formojnë njërin prej instalacioneve që përbëjnë ekspozitën “S’ka si shpija” të piktorit Mehmet Behluli. Copëzat janë dëshmi e asgjësimit të një krijimtarie artistike në të cilën autori ka investuar për vite të tëra, shkruan sot Koha Ditore.

Një pjesë goxha e madhe e njërit prej mureve ballore të sallës së katit të parë, është “djegur” nga artisti. E ka ngjyrosur me të zezë. Aty është edhe një orë e moçme që duket sikur simbolizon se koha është ndalur. Në skaj ka shkruar me shkronja të mëdha “I LOVE YOU” (Të dua).

Ky është edhe mesazhi i parë që Behluli e përçon: se pavarësisht të gjithave, njeriu duhet ta dojë shtëpinë e tij. Pranë murit ka vendosur lule të gjalla dhe një karrige. Lulet i japin një gjallëri hapësirës. E krahas instalacionit janë imazhet e shtëpisë së djegur të profesorit universitar. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.