Kulturë

Qeveria e turpëruar ndaj Bibliotekës premton përmirësimin e kushteve

Descriptive Text

Prishtinë, 11 maj - Qeveria ndihet e turpëruar në raport me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Këtë e ka konfirmuar vetë kryeministri Ramush Haradinaj, pesë ditë pasi vartësi i tij, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka vizituar depot e librave që jo rrallë vërshohen nga uji. E kryeministri Haradinaj ka shfrytëzuar ceremoninë hapëse të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, të martën, për të premtuar se ky institucion do të mbështetet për t’i eliminuar defektet.

Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, ka thënë se tema “Arsimimi dhe trajnimi bibliotekar” u duhet punonjësve për dije teorike e ekspertizë, sepse ballafaqohen me përgjegjësi të madhe në betejën për mbledhjen, ruajtjen dhe ofrimin në shërbim, të trashëgimisë letrare, kulturore dhe historike të Kosovës.

Këtë vit Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka sjellë si ligjërues në “Javën...”, ekspertin e bibliotekarisë Robert Montoya nga Universiteti “Indiana Bloomington”.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i është rikthyer BKK-së të martën, pasi të enjten e javës së kaluar e vizitoi depon e këtij institucioni ku gjenden disa “burime” të përhershme të ujit.

Për vite me radhë ShBA-ja ka ndihmuar BKK-në dhe institucionet e tjera bibliotekare. Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se bibliotekat dhe personeli i tyre janë themeli i komunitetit dhe janë thelbësore për edukimin e qytetarëve të Kosovës.

Por këtë vit Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në ambientet e BKK-së ka hapur ekspozitën “Skënderbeu në letërsi”, ku kanë zënë vend vepra të ndryshme autorësh vendorë e të huaj që i janë kushtuar figurës së heroit kombëtar. Veprat letrare qëndrojnë krahas kopjeve të gravurave të Skënderbeut e ngjarjeve të kohës së tij (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).