Si ruan Europa ndërtesat e shek. XIX, kurse…

Si ruan Europa ndërtesat e shek. XIX, kurse…

10 April 2018 09:04

Na ishte një herë një kont, që quhej Franz Anton von Sporck. Ky kont ndërtoi në vitin 1724, në Pragë (atëherë pjesë e Konfederatës Gjermane) një teatër, të cilit i vuri emrin e vet “Sporck”. Pasi e ndërtoi teatrin, konti ia dha atë në përdorim falas sipërmarrësit venecian Antonio Dencio.

Në vitin 1739, në Pragë u ndërtua një tjetër teatër: Kotzentheater, ose Teatri i rrugës Kotcich. Në vitin 1783, kur u mbyll edhe teatri i dytë, Konti Nostitz, ndërtoi teatrin e tretë. Kjo ndërtesë neoklasike është sot teatri më i vjetër në Pragë. Në fasadën e tij mund të lexohet mbishkrimi latinisht “Patria et Musis” (Për Atdheun dhe Muzat), që ishte motoja e ndërtuesit të tij.

Në mesin e shekullit XIX, Praga ishte një qytet i populluar nga tri komunitete: gjermanët, hebrenjtë dhe çekët. Këta të fundit po përjetonin një zgjim të ndërgjegjes kombëtare dhe nevoja për një teatër çek u lidh ngushtë me përpjekjet për identitet kombëtar. Në vitin 1851 u themelua Shoqëria për Themelimin e Teatrit Kombëtar, e cila filloi mbledhjen e fondeve nga qytetarët dhe porositi projektin.

Por neoabsolutizmi, luftërat e brendshme dhe të jashtme, që çuan në prishjen e Konfederatës Gjermane dhe krijimin e Perandorisë Austro-Hungareze dhe Kurorës Bohemiane, e penguan përpjekjen për ndërtimin e teatrit. Kështu, çekët e mençur vendosën të ndërtonin një teatër të përkohshëm, që do të shërbente deri në ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Teatri i përkohshëm u hap në vitin 1862 dhe artistët çekë zhvendosën veprimtarinë e tyre atje dhe Teatri Stavovske u mbeti vetëm kolegëve gjermanë.

Guri i themelit u vu në vitin 1868. Teatri u hap në vitin 1881, por vetëm pas 11 shfaqjesh një zjarr i madh shkatërroi kubenë prej bakri, auditorin dhe skenën. Fatkeqësia e papritur shërbeu si katalizator i ndjeshmërisë publike dhe brenda 47 ditëve qytetarët dhuruan 1 milion gulden, një shumë e barabartë me gjysmën e parave të mbledhura në 30 vitet e më- parshme. Nxënësi i arkitektit fillestar e vazhdoi projektin, duke i bërë disa ndryshime. Ai jo vetëm nuk kërkoi shembjen e teatrit të përkohshëm, por përkundrazi, e konceptoi atë si pjesë integrale të Teatrit Kombëtar.

Një pallat banimi, që ndodhej midis dy teatrove, u shemb dhe dy teatrot u bashkuan në një trup të vetëm. Pas shpalljes së Republikës Çekosllovake, në vitin 1918, Teatri Kombëtar nisi të përdorte edhe teatrin e vjetër, Stavovske. Pas luftës, më 1948, Stavovske u bë zyrtarisht një nga sallat e Teatrit Kombëtar. Me rastin e 100-vjetorit të themelimit, Teatri Kombëtar jo vetëm u rikonstruktua, por atij iu shtua edhe një ndërtesë e re, e pagëzuar Nova Scena – Skena e Re.

Defektet e projektimit dhe stili i saj brutalist u kritikuan dhe vazhdojnë të kritikohen nga shumë njerëz. Ndonëse zyrtarisht pjesë e Teatrit Kombëtar, Skena e Re, sot quhet edhe Lanterna Magika, për shkak të kompanisë eksperimentale të teatrit multimedial, që e përdor më shpesh. Në vitin 1992, Opera Shtetërore e Pragës kaloi nën administrimin e Teatrit Kombëtar, së bashku me ndërtesën e saj historike, të ndërtuar në vitin 1888, si Teatri i Ri Gjerman, i pagëzuar pas Luftës së Dytë Botërore si Teatri Smetana.

Ndërkohë që vazhdon rikonstruksioni i Operës Shtetërore, Teatri Kombëtar ka marrë në administrim një tjetër teatër të vjetër, teatrin muzikor Karlin, të ndërtuar në vitin 1881. Morali i fabulës? Një komb i mençur nuk i shemb teatrot e vjetër, por i mirëmban. Qytetet kanë vend edhe për teatro të rinj, por ata nuk duhet të zëvendësojnë teatrot e vjetër. Më tej? Oligarkët e sotëm shqiptarë, shkruan Kastriot Çipi në “Panorama” të Tiranës, janë të paktën 250 vjet larg vizionit dhe qytetarisë së aristokratëve çekë të Rilindjes.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme