Kulturë

Rikthimi i ujërave të zeza bllokon Teatrin Kombëtar

Descriptive Text

Prishtinë, 10 prill - “Sanim i përkohshëm” ishte quajtur ndërhyrja për largimin e ujërave të zeza nga bodrumi i Teatrit Kombëtar të Kosovës të premten e javës së kaluar. Pikërisht kështu ka dalë të jetë intervenimi që ka bërë kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina” në pusetat e bllokuara në bulevardin “Nënë Tereza”.

Të dielën ujërat e zeza i janë kthyer Teatrit. E të hënën, gjendja ka ardhur deri në bllokimin e punës në këtë institucion. Sherri i kundërmimit, TKK-ja është detyruar që të anulojë shfaqjen “Bordel Ballkan” - që është njëra nga shfaqjet më të shikuara - e provat për shfaqjen “Kaligula” nga sot (e martë) do të zhvendosen në teatrin “Dodona”.

Zhbllokimi i pusetave ishte bërë një ditë pasi ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, kishte vizituar këtë institucion shkaku i këtij problemi. Po atë ditë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, kishte pritur në takim kryeshefin ekzekutiv, Ilir Abdullahu dhe drejtorin teknik të kompanisë së ujësjellësit rajonal, “Prishtina”, Sokol Xhafa. Sipas komunikatës, të dyja palët ishin pajtuar për bashkëpunim në mënyrë që të zgjidhet problemi. Por tri ditë më pas TKK-ja është bllokuar.

Dramaturgu Jeton Neziraj, autor i tekstit “Bordel Ballkan”, është shprehur “Dhe kështu, e kemi edhe një dëshmi që problemet nuk zgjidhen me revy mediale, por me angazhim konkret” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).