Turqia në kërkim të artefakteve të plaçkitura antike

Turqia në kërkim të artefakteve të plaçkitura antike

10 April 2018 15:01

Ankara, 10 prill - Serdal Kuyucuoglu rri ulur prapa tavolinës së tij në Parlamentin turk duke kërkuar në një libër që në detaje paraqet qindra artefakte antike që ai thotë se janë plaçkitur nga Anadolli 200 vjet më parë.

“Shumë gjëra janë vjedhur nga Turqia, të cilat tani mbahen në muze në ShBA, Angli, Portugali, Danimarkë, Francë, Gjermani, Greqi”, ka thënë ai, teksa ia ka ngulur sytë fotografive të thesareve prej civilizimeve që dikur sunduan pjesë të asaj që sot është Turqia e ditëve moderne. Në shkrimin e Al-Jazeera, që sot e transmeton “Koha Ditore”, theksohet se “Edhe Greqia, e cila njëjtë sikur Turqia ka vuajtur prej këtyre kontrabandave dhe vjedhjeve, mori shumë artefakte kur u tërhoq pas disfatës në luftën për pavarësi”.

Kuyucuoglu, përfaqësues i Mersinit në Parlament, është anëtar udhëheqës i Komisionit parlamentar në detyrë për të rimarrë thesaret që tani qëndrojnë në muzetë dhe koleksionet private nëpër Evropë dhe Amerikën Veriore. I themeluar në tetorin e vitit të kaluar, komisioni udhëtoi nëpër Evropë për të bërë presion për kthimin e artefakteve që u takojnë perandorive të harruara prej shumicës, përveç historianëve dhe arkeologëve.

Anadolli ka qenë shtëpi e qindra civilizimeve që lanë shenjë me monumentet antike dhe thesaret e nëndheshme. Asirianët, hitejtë, grekët, frygianët, lidianët, karianët, romakët, bizantinët, selçukët dhe osmanët janë vetëm disa prej atyre që Anadollin e dikurshëm e kishin shtëpi. Bollëku i artefakteve ka tërhequr arkeologët, e po ashtu edhe gjahtarët e thesareve, gërmimet e të cilëve kanë bërë që 200 mijë artefakte të dërgohen në pjesë të ndryshme të botës.

“Turqia është muze i hapur”, ka thënë Kuyucuoglu. “Shumë kultura janë zhvilluar në Turqi, prandaj është burim i shumë artefakteve arkeologjike”, ka shtuar ai. Duke iu referuar dy lokaliteteve antike në lindje të Turqisë, ai ka thënë se “është e çuditshme që ‘Pergamon Museum’ është në Berlin dhe ‘Ephesus Museum’ është në Vjenë”.

Prej fillimit të viteve 1800 e tutje arkeologë të huaj e vërshuan Anadollin, e më pas një pjesë të Perandorisë Osmane për të gërmuar lokalitetet antike.

“Në shekullin XIX arkeologët francezë, britanikë dhe gjermanë ishin në garë me njëri-tjetrin për shkak se mundoheshin që t’i mbushnin muzetë e tyre”, ka thënë Kutalmis Gorkay, kryesuesi i Degës së arkeologjisë klasike në Universitetin e Ankarasë. Në prag të këtyre gërmimeve shpeshherë të autorizuara nga autoritetet osmane, të cilat kishin pak interes për reliktet e perandorive të mëhershme, gërmues amatorë iu bashkëngjitën, shumica të motivuar nga shumat e mëdha që i paguanin koleksionuesit privatë të artefakteve.

Sipas Gorkay, sot lehtësirat përmes teknologjisë kanë mundësuar që të rritet numri gërmimeve të paautorizuara dhe i plaçkitjeve të varreve të lashta dhe të tempujve.

“Ky është djep i shumë civilizimeve dhe ne kemi shumë shtresa të kulturave, gjësendeve dhe artefakteve”, ka thënë ai. “Tani problemi në Turqi është se kemi rritje të shpejtë sa u përket aktiviteteve ilegale, dhe gërmimeve ilegale. Kemi vërejtur se në vitet e fundit ka rritje të këtyre aktiviteteve. Kjo ndodh për shkak të internetit, pasi që ka shumë ueb-faqe që promovojnë gërmime të tilla”, ka shtuar ai.

Tani Turqia synon që t’i kthehen thesaret antike – dhe t’i japë fund tregut ilegal.

“Anadolli po i vajton këto objekte, sepse ato janë vjedhur nga atdheu i tyre”, ka thënë Kuyucuoglu. “Këto kultura janë rritur në Anadoll. E pakta që mund të bëjnë këto shtete të cilat mbajnë thesarin tonë është t’i kthejnë disa prej atyre për ekspozitë në Turqi, aty ku përkasin”, ka shtuar ai.

Disa suksese në këtë fushë janë arritur kohëve të fundit, siç është rikthimi i sarkofagut romak që përshkruan 12 punëtorët e Herkulesit, e që ishte marrë ilegalisht dhe kontrabanduar në vitet ’60.

“Pak artefakte, relikte që kanë origjinë nga Turqia e që janë ekspozuar në Perëndim, janë atje legalisht”, ka thënë ministri i Kulturës, Numan Kurtulmush, kur shpalosi sarkofagun në Muzeun e Antalias në shtatorin e vitit të kaluar.

Sipas Ministrisë së Kulturës, më shumë se 4 mijë e 300 artefakte janë riatdhesuar që nga viti 2003, megjithëse Kuyucuoglu ka thënë se 150 deri 200 mijë ende janë jashtë vendit, shumica nëpër muze të rëndësishëm si ai i Louvreit në Paris dhe “Victoria and Albert Museum” në Londër.

“Është pak problematike t’i kthejmë artefaktet që janë marrë para shumë kohësh”, ka thënë ai. Për të ilustruar vështirësinë, Kuyucuoglu ka marrë si shembull thesarin e Priamit – ar, bakër dhe artefakte të tjera të gërmuara nga arkeologët gjermanë, të cilët kanë pohuar se i takonin mbretit trojan, Priamit. Vendi i fshehtë me thesare ishte gjetur në vitin 1873, në atë që tani njihet si lokalitet antik i Trojës, më pas është kontrabanduar dhe ekspozuar në Berlin. Gjetjet tani qëndrojnë në “Pushkin Museum” të Moskës, pasi që ishin vjedhur nga trupat sovjetike në vitin 1946 dhe më pas janë konsideruar si shpërblim lufte nga Qeveria ruse.

“Gjermanët kanë kërkuar që të kthehen, por ne themi se janë tonat dhe se ne duhet t’i kemi”, ka thënë Kuyucuoglu. “Është histori e gjatë, e cila do të vazhdojë për shumë vjet, por fillimisht duhet të ndalojmë vjedhjen e objekteve”, ka shtuar ai. Sipas tij, ekziston një treg i fshehtë.

“Nëpër vende të caktuara, siç është pazari i vjetër në Stamboll, ka njerëz që bëjnë tregti me artefakte dhe ka koleksionues të mirënjohur, të cilët ata mund t’i kontaktojnë nëpërmjet ndërmjetësuesve”, ka thënë ai.

Sipas Gorkay, lokalitetet antike shpesh rrënohen nga gjahtarë të thesareve të cilët nuk interesohen për vlerat historike të lokaliteteve.

“Shumica e njerëzve nuk kanë ide”, ka thënë ai. “Ata po e bëjnë këtë vetëm për të përfituar. Nuk janë koleksionues intelektualë. Ata thjesht e shkatërrojnë qeramikën dhe kërkojnë metale të vlefshme”.

Kuyucuoglu kërkon kontroll më të shtuar dhe dënime më të ashpra, por çmimet janë aq të mëdha saqë “edhe nëse u themi se do t’i varim ata prapë do të kontrabandojnë”.

Të rreshtuara kundër kërkesave të Turqisë mbi trashëgiminë janë argumentet, shpesh të thëna nga Perëndimi, se Turqia nuk kujdeset për historinë që shtrihet nën fushat dhe rrugët e saj. Derisa vendi modernizohej, gjetjet arkeologjike u neglizhuan edhe nga ata që ishin kompetentë për t’i ruajtur ato.

“Nuk do të thotë t’i koleksionosh të gjitha, thjesht dokumentoi. Përndryshe kjo asnjëherë nuk do të ndalojë”, ka thënë Gorkay. “Stambolli është kryeqytet i Perandorisë bizantine kështu që nëse ndalesh për gjithçka nuk do të arrish asgjë. Kjo është një çështje shumë e rëndë për Turqinë. Secili qytet, secili fshat, secili rajon kishte vendbanimin e vjetër”.

Kuyucuoglu, prerazi kundërshtoi pohimin se Turqisë nuk mund t’i zihet besë as me trashëgiminë e vet.

“Ndoshta vite më parë kishim burime të limituara për t’u kujdesur për gjëra të tilla, por tani kemi mundësi të bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë ai. “Tani është koha për t’i kthyer”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme