Kulturë

Komuna e Prizrenit e zvogëlon përkrahjen për “DokuFestin” në 10 mijë euro

Anëtarët e Ekzekutivit komunal të Prizrenit kanë miratuar propozim-vendimin e Drejtorisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sporteve për mbështetje me 23 mijë e 500 euro të shtatë ngjarjeve të ndryshme kulturore, që mbahen në territorin e kësaj komune.

Reagimet e operatorëve kulturorë në lidhje me këtë çështje nuk janë përmendur gjatë takimit të Qeverisë lokale, shkruan sot “Koha Ditore”. Zyrtarët e Ekzekutivit të Prizrenit gjatë takimit me kryetarin nuk janë deklaruar për këtë pikë.

Kryetari Ramadan Muja, pasi ka lexuar propozimin e DKRS-së, që këtë vit festivali “DokuFest” të mbështetet me 10 mijë euro, “Hasi Jehon” me 5 mijë, “Zgjimi me Art” me 2 mijë e 500 euro, “Autostrada Biennale” me 1 mijë e 500, pastaj “OldTimer Fest” me 1 mijë e 500 euro, “NgomFest” me 1 mijë euro dhe “Takimet e Gjeçovit” me 2 mijë euro, ka pyetur bashkëpunëtorët e tij nëse kanë ndonjë vërejtje apo propozim ndryshe. “Mirë, atëherë nëse nuk ka vërejtje shkojmë në aprovim”, ka thënë Muja, teksa drejtorët dhe zyrtarët tjerë kanë votuar në favor të miratimit të këtij vendimi. Kësisoj përkrahja komunale për njërën prej ngjarjeve kryesore kulturore në Kosovës, është zvogëluar në krahasim me vitin e kaluar. Ne dy edicionet e kaluara Komuna e Prizrenit e kishte mbështetur “DokuFestin” me 15 mijë euro.

“’DokuFest’ do të mbështetet me 10 mijë euro. Ndërsa ky festival do të mbështetet edhe me mjete logjistike, hapësira publike dhe me kërkesa të tjera, që shuma e përafërt e mbështetjes nga viti në vit sillet rreth 40-50 mijë euro, në tërësinë e tyre. Kështu konsiderojmë se komuna jonë është duke dhënë një kontribut të çmuar në realizimin e suksesshëm të këtij festivali”, ka thënë Berisha. Ai ka konfirmuar edhe shifrat për gjashtë ngjarjet tjera kulturore.

Drejtori ekzekutiv i “DokuFestit”, Eroll Bilibani, ka komentuar pohimet e zyrtarëve komunalë.

“Hipotetikisht nëse lumi, Shatërvani, Kalaja që janë hapësira publike, pra të qytetarëve, kalkulohen si kosto përkrahëse për ‘DokuFestin’, atëherë ekziston një problem, sepse kjo nënkupton se Komuna po na e shet qytetin tonë”, ka deklaruar Bilibani. “Sendi i vetëm për logjistikë janë 3 automjetet që i jep Komuna për transportin e mysafirëve, derisa vozitësve të komunës ne ua paguajmë mëditjet”, është shprehur Bilibani... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.