Dy vizatime të Schiele u rikthehen trashëgimtarëve që u plaçkitën nga nazistët

Dy vizatime të Schiele u rikthehen trashëgimtarëve që u plaçkitën nga nazistët

09 April 2018 15:00

Dy vepra të vlefshme artistike nga Egon Schiele, me një prejardhje të kontestuar, duhet t’u kthehen trashëgimtarëve të një artisti austriako-hebre, që i kishte ato në pronësi, para se të vdiste në kampin e përqendrimit Dachau.

Ky është vendimi i Gjykatës Supreme të Shtetit të New Yorkut, thekson shrkimi i publikuar në NYT, të cilin sot e transmeton “Koha Ditore”.

Gjykimi i udhëhequr nga gjykatësi Charles J.Ramos, është një nga aplikimet e para të suksesshme të nismës për shpronësim “Holocaust Expropriated Recovery” , të njohur si “HEAR”, e që kishte kaluar nga Kongresi më 2016 dhe është dizajnuar për të lehtësuar kufizimet për paditësit që kërkojnë rimarrjen e veprave të artit, që ishin plaçkitur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dy vizatimet e kontestuara të Schiele – “Woman in a Black Pinafore” e vitit 1911 dhe “Woman Hiding her Face” e vitit 1912- ishin pjesë e një koleksioni prej 449 veprash, që ishin pronësi e Fritz Grunbaum, një performuesi të mirënjohur kabaresh në Vjenë, i cili po ashtu ishte zë kritik i nazistëve. Me vite, trashëgimtarët e Grunbaum kanë argumentuar nëpër gjykata dhe kudo tjetër për koleksionin e plaçkitur nga nazistët, që përfshinte 81 vepra të Schieles, dhe që koleksioni duhej t’u kthehej pronarëve të vetë të ligjshëm.

Në një rast të mëparshëm, të paraqitur më 2005, një gjykatë kishte marrë vendim kundër trashëgimtarëve, kur ata po përpiqeshin të rimerrnin nga koleksioni i Grunbaum një vizatim të Schiele, të titulluar “Seated Woman with Bent Left Leg (Torso)”, nga një biznesmen i Bostonit që e kishte blerë atë më 1963. Gjykata kishte thënë se ka kaluar shumë kohë dhe se dëshmitë kanë humbur. Por kësaj radhe, Raymond Dowd, avokat i trashëgimtarëve, ka cituar “HEAR Act” në lutjen e tij dhe gjykatës Ramos e ka cituar atë në mesin e justifikimeve ligjore për vendimin e tij.

“‘HEAR Act’ na detyron të ndihmojmë rikthimin e artit të plaçkitur nga nazistët, tek trashëgimtarët e tij”, ka shkruar gjykatësi në vendimin 16 faqesh.

Avokati i galerisë së Londrës, pronësi e Richard Nagy, një tregtar arti që i kishte blerë vizatimet para disa vitesh, ka thënë se ka në plan të kundërshtojë vendimin. Nagy në gjykatë ka argumentuar se sado që nazistët i kanë futur në inventar vizatimet, ata në të vërtetë asnjëherë nuk kishin arritur t’i kapin ato. Ai pohon se ka arsyetim të mirë, për shkak se pas vrasjes së Grunbaum, kunata e tij, Mathilde Lukacs, i kishte shitur 54 vepra, përfshirë edhe dy vizatimet e Schiele, tek një galeri në Zvicër, e që i rishiti ato më 1956. Nagy e kishte blerë gjithë të drejtën mbi dy vizatimet në dhjetor të vitit 2013, dhe i kishte përfshirë ato në një ekspozitë të hapur në “Park Avenue Armory” në Manhattan më 2015.

Por gjykatësi Ramos ka vendosur që nuk ka dëshmi që Lukas ka pasur të drejta mbi veprat dhe e ka hedhur poshtë idenë që Grunbaum në mënyrë vullnetare i ka dhënë ato tek një trashëgimtar.

Dowd ka thënë se trashëgimtarët shpresojnë të shesin vizatimet e Chiele në nëntor, në shtëpinë e ankandeve “Christie”, në prag të 100-vjetorit të vdekjes së tij. Ai ka paraqitur një kërkesë në gjykatë që të mundë t’i transferojë veprat tek shtëpia e ankandeve.

Trashëgimtarët nuk e kishin ditur se ku ndodheshin dy veprat e Schiele, derisa ato u panë në ekspozitën e vitit 2015 në “Armory”. Dowd kishte kërkuar rikthimin e tyre, por Nagy kishte argumentuar që posedonte të drejta mbi to.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme