Kulturë

“Goca e Kaçanikut” dëshmon kthesën artistike të muzikës në Kosovë

Prishtinë, 5 prill - “Goca e Kaçanikut” dhe “Virtuoziteti dhe muzikaliteti i jashtëzakonshëm përmes telave” janë librat e rinj që u janë shtuar studimeve kosovare sa i përket muzikës dhe formimit të instrumentistëve. Festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM”, të mërkurën, në atë që zyrtarisht ka qenë dita e fundit e edicionit të 13-të, ka promovuar edhe botimet, goxha të munguara në fushën e muzikologjisë.

Te “Goca...” muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica zbërthen operën e parë shqiptare të Kosovës “Goca e Kaçanikut” e kompozuar më 1972 nga Rauf Dhomi, përderisa te “Virtuoziteti...” Mimoza Kurshumlia ka shkruar për karrierën e tij të deritanishme dhe shkathtësitë e Astrit Stafait, mjeshtër i instrumenteve me tela.

Në promovimin e dy librave në Qendrën Kulturore të BE-së në Prishtinë, recensentja e librit “Goca...”, muzikologia nga Maqedonia, Stefania Leskova-Zelenkovska, ka thënë se autorja ka rrumbullakuar këtë libër me përgjegjësi dhe punë të madhe. Sipas saj, me rëndësi të veçantë janë pikëpamjet e argumentuara të saj estetiko-sociologjike për krijimin dhe shfaqjen e veprave operistike (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).