“Kultura për ndryshim” hap thirrjen e parë për financim të projekteve Foto ilustrim

“Kultura për ndryshim” hap thirrjen e parë për financim të projekteve

04 April 2018 21:21

Të enjten në Prishtinë, mbahet sesioni informativ lidhur me aplikimin për grante në fushën e kulturës që u lansua më 26 mars nga projekti “Kultura për ndryshim”.

Projekti “Kultura për ndryshim” financohet nga BE dhe menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë, ndërsa zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.

Në një njoftim për media, thuhet se thirrja për projekt propozimet është pjesë e projektit 3 vjeçar (2018-2021) “Kultura për ndryshim”, i cili synon të mbështesë forcimin e organizatave kulturore në mbarë Kosovën, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të përkrahin ndryshimet shoqërore dhe zhvillimin njerëzor.

“Thirrja e parë për propozime në fushën e kulturës ka për qëllim forcimin e sektorit kulturor në Kosovës përmes përkrahjes së projekteve kulturore të qëndrueshme si dhe përkrahjes së aktiviteteve të organizatave kulturore e artistëve që promovojnë kreativitetin, gjithë-përfshirjen sociale dhe bashkëpunimin kulturor lokal apo ndërkombëtar. Të drejtë aplikimi kanë organizatat kulturore në Kosovë, institucionet publike të kulturës dhe artistët individual”, thuhet në njoftim.

Thirrja është e ndarë në 3 fusha, të cilat dallojnë nga madhësia e granteve të ofruara. Konkretisht, fushat janë të ndara në grante deri 5,000 EUR, 10,000 EUR dhe 20,000 EUR. Afati për aplikim është 18 prill 2018.

“Projekti “Kultura për Ndryshim” synon të rritë kapacitet dhe të forcon operatorët kulturorë në Kosovë përmes grant-dhënies dhe ngritjes së kapaciteteve të organizatave kulturore në Kosovë, duke mbështetur zhvillimin e kulturës në zonat jashtë kryeqytetit të Kosovës, dhe veçanërisht në mesin e operatorëve kulturorë që vijnë nga komunitetet e margjinalizuara. Projekti po ashtu do të mbështes operatorët kulturor nëpërmjet rrjetëzimit dhe promovimit që synojnë lidhjen e iniciativave Kosovare me bashkëpunuesit potencial brenda dhe jashtë Kosovës”, thuhet në njoftim.

Për më shumë informata për ftesën për aplikim, vizitoni ueb faqen e Qendra Multimedia në www.qendra.org (ndër-faqen Kultura për Ndryshim). Dokumenti “Udhëzimet për Aplikantët” përmban informata më të hollësishme për procedurat e aplikimit dhe informata tjera, si dhe në faqen e Facebook të Qendrës Multimedia.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme