Kulturë

Kumrije Hoxha si ushtruese detyre e drejtoreshës vazhdon programin e TKK-së

Prishtinë, 4 prill - Aktorja veterane, Kumrije Hoxha, do ta drejtojë Teatrin Kombëtar të Kosovës për një kohë të pacaktuar. Vakuumi pas shkarkimit të Agim Sopit nga pozita e drejtorit të përgjithshëm, të hënën e javës kaluar, do të marrë fund sot (e mërkurë), kur Kumrije Hoxha do të nisë drejtimin e institucionit në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës.

Të martën Këshilli Drejtues i TKK-së ka vendosur që programi i paraparë për këtë vit në këtë institucion të vazhdojë nën menaxhimin e Hoxhës derisa të zgjidhet drejtori i ri, nëse Sopi nuk kthehet në këtë pozitë pas ankesës që ka bërë në Ministrinë e Kulturës, shkruan sot Koha Ditore.

Aktorja Kumrije Hoxha, e lindur më 1953 në Prishtinë, ka thënë se nuk mund të bëjë planifikime në raport me udhëheqjen e Teatrit pasi do të jetë në krye të këtij institucioni vetëm për kohë të shkurtër (më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).