“Akademia e animacionit” për mundësi të reja në botën e kinematografisë

“Akademia e animacionit” për mundësi të reja në botën e kinematografisë

04 April 2018 08:44

Prishtinë, 4 prill - Para dy vjetësh shteti kishte mbështetur realizimin e një filmi të shkurtër të animuar. “Magneti” me skenar të Mjellmë Dolit dhe regji të Arvan Berishës ishte përkrahur me 15 mijë euro nga institucioni i vetëm që subvencionon realizimin e filmave, Qendra Kinematografike e Kosovës. Në konkursin e vitit të kaluar nuk është përkrahur asnjë projekt i këtij zhanri. Por interesimi për këtë lëmë pritet të rritet të paktën nga të rinjtë e dy qyteteve, Pejës e Prishtinës. Pas qytetit perëndimor “Akademia e animacionit” ka mbërritur në Prishtinë. Gjashtë të rinj nga kryeqyteti për tre muaj do të trajnohen për të realizuar filma të animuar. Trajnimi i tyre do të bëhet nga ligjëruesit e zgjedhur nga organizata “Anibar”, që organizon edhe Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit që mban të njëjtin titull.

“Akademia...” ka arritur në Prishtinë me ftesë të Drejtorisë për kulturë të Komunës së Prishtinës.

Drejtori ekzekutiv i festivalit dhe organizatës “Anibar”, Vullnet Sanaja, ka thënë se me kënaqësi kanë pranuar ftesën që të punojnë në Prishtinë, pasi ky projekt fillimisht ishte mbajtur në Pejë në nëntor të vitit të kaluar.

“Do të fillojmë me ndërtimin e storieve, bazat e animacionit si hyrje për të rinjtë. Më pas fëmijët do të fillojnë të ndërtojnë animacionin e tyre”, njëri nga ligjëruesit, Arvan Berisha.

Në këtë program Berisha do të jetë i shoqëruar edhe nga ligjëruesit Ilir Hasanaj, regjisor, Yll Bylykbashi, asistent në ndërtimin e stories, Andi Gola, asistent për dizajnim dhe Edvin Susuri, i cili do të ligjërojë për bazat teknike të softuerëve (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme