Kulturë

Teatri shqiptar në Amerikë shkon tek arbëreshët në Itali me shfaqjen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Në vazhdën e kremtimit të 550 vjetorit të vdekjes së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu,Teatri shqiptar në Amerikë me projektin teatror \GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU\, pas shfaqjeve të suksesshme në Zagreb, Vjenë, Lucern, Gjenevë dhe Paris, vazhdon me prezantimet tani edhe në Itali dhe Gjermani.

Vetëm të shfaqurit e Gjergj Kastriotit Skënderbeut para nipave, mbesave, stërnipërve dhe stërmbesave na kujton e shpie tek Moti i Madh i Arbërit, ajo periudhë e ndritur dhe plotë lavdi kur një popull i vogël i bëri ballë, luftoi trimërisht dhe triumfoi ushtarakisht gati në të gjitha betejat me barbarët falë strategjisë luftarake të atij burri të madh që kaloi përtej dimensioneve të heroit, mitit dhe legjendës.

Shfaqja e dramës Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Frasnita, Lungra, Çivita, Kozencë, Piana Degli Albanesi dhe San Giorgio Albanessi rimotivon arbëreshët që më shumë se 550 vite mbajnë të ndezur flakën e atdhedashurisë duke e ruajtur gjuhën shqipe arbërisht me bindje shqipërisht.

Ky turne i Teatrit shqiptar në Amerikë, me nëntë shfaqje brenda dy javësh, është historike për hir të dimensionit me një shtrirje vizionare dhe kombëtare, me qasjen e aktualitetit si realizim i qëlluar dhe me cilësi të larta artistike që prin në shënimin e jubileut të rëndësishëm duke dhënë mesazhe të qarta në favor të ngritjes së dinjitetit kombëtar.

Kjo shfaqje padyshim se shënon një ngjarje kulturore e artistike dhe tingëllon bindshëm shqipërisht për gjeneratat që trokasin drejt ardhmërisë me identitet të qartë kombëtar.

Drama “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është shkruar nga Xhevat Limani i cili shfaqet edhe si regjisor bashkë me aktorin holivudian, Michael Tylo.

Në rolin e Skënderbeut paraqitet Xhevat Limani. Donikën e ka realizuar sopranoja Era Hoxha. Në rolin e Vojsavës prezantohet Merita Çoçoli, ndërsa si zëra në rolet e Sulltanit, Papës, Mbretit Ferdinand, etj., paraqiten Vebi Qerimi, Luan Daka, Hamdi Rashidi etj.

Skenograf është Kristaq Kapedani, ndërsa kostumet i ka punuar stilisti Fadil Sahiti. Kompozitorë të muzikës janë: Aleksandër Peçi dhe Elvis Peçi, ndërsa piktor i dekorit Enkel Dika. Elementet koreografike janë fryt i koreografit Altin Naska.

Përkrenaren dhe shpatën e modeloi Lenny Cassio .

Shfaqjet do të kenë këtë itinerar:

1 prill në Frascineto Kalabri

Hapja e festës së Pashkëve me vallen e Skënderbeut

3 prill në Frascineto

shfaqet drama GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU

në sheshin “Albania”

Ora. 20:30

4 prill në Çivita

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU

në Eccomuseo Palazzo Castellano

Ora 18:00

5 prill në Lungro

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU

Cassa della Musica “V. Stratikoi”

Ora 21:00

6 prill në Kozencë

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU

Ora 17:00

8 prill në Piana Degli Albanesi

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU

Teatro del Seminario

Ora 21:00

9 prill në San Giorgio Albanesi

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU

ORA 20:00

14 prill në 2018 Shtutgart -Gjermani

në LIEDERHALLE-Stuttgart

Ora 19:00

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu” shfaqet në kuadër të programit kulturor të qytetit të Shtutgartit dhe në organizim të të gjithë shoqatave shqiptare të bashkuara.