Kulturë

MKRS-ja në kërkim të dy drejtorëve

Prishtinë, 30 mars - Ministria e Kulturës është vënë në kërkim të udhëheqësve të ardhshëm për Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Departamentin e Kulturës. Konkursi për drejtor të IKMM-së, i hapur të mërkurën, është vonuar për një vit. Në mars të vitit të kaluar është dorëhequr ish-drejtori i këtij institucioni Alban Bakija e që nga ajo kohë deri në gusht, Agim Gërguri ka udhëhequr me IKMM-në si ushtrues detyre i drejtorit. Prej gushtit këtë pozitë e mban Ardiana Qorraj.

E që nga tetori i vitit 2015, kur Kamuran Goranci ishte transferuar nga pozita e drejtorit të Departamentit të Kulturës në udhëheqës të Divizionit të arteve skenike, pozita e drejtorit në këtë Departament është mbajtur nga ushtruesit e detyrës. Xhevat Bajrami, i cili aktualisht e ushtron këtë detyrë, është i pesti.

Edhe për këtë pozitë kërkohet udhëheqës i rregullt.