Kulturë

Rreth 700 projekte kulture në pritje të përgjigjes nga Ministria

Prishtinë, 30 mars - Edicioni i 13-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” ka nisur të enjten. Përderisa rrugëtimi i sivjetshëm i këtij festivali do të përmbyllet në fund të muajit të ardhshëm, nga dita e pestë e prillit nis “Chopin Piano Fest”, për t’i hapur rrugë festivalit “ReMusica”.

Pavarësisht agjendës së organizimeve tashmë tradicionale në Kosovë, Ministria e Kulturës ende nuk ka nisur as vlerësimin e projekteve kulturore. Janë rreth 700 aplikacione të pranuara në konkursin që ishte hapur me dy muaj vonesë. Nga 21 korriku deri më 13 mars, MKRS-ja ka pranuar aplikacionet. E mosfillimin e vlerësimit të projekteve ky institucion e arsyeton me konkursin që ka hapur pas atij për projekte kulturore, nëpërmjet të cilit do të angazhohen dy njerëz të jashtëm që do t’i shoqërojnë zyrtarët e MKRS-së në përcaktimin e projekteve që do të përkrahen.

“Do të jetë një përfaqësues i shoqërisë civile dhe një njohës i fushës. Në konkursin e hapur nuk kanë konkurruar njerëz të këtij profili dhe e kemi shtyrë atë. Deri të martën është zgjatur afati i konkursit”, ka thënë Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi. Sipas tij, vlerësimi i projekteve do të nisë nga fundi i javës që vjen.

Sipas Ligjit të buxhetit të këtij viti, në kategorinë “Përkrahja për kulturën” nëpërmjet së cilës MKRS-ja financon aktivitetet e pavarura, ka të njëjtin buxhet sikurse për vitin që shkoi. Kanë qenë dhe janë fiks 1 milion e 67 mijë e 851 euro. Vitin e kaluar kanë qenë rreth 800 aplikacione në konkursin për financim të projekteve artistike e kulturore (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)