Kulturë

Ministria refuzon të paguajë 33 mijë euro shtesë për rinovimin e Muzeut të Kosovës

Ministria e Kulturës refuzon të paguajë mbi 33 mijë euro për rinovimin e Muzeut të Kosovës, faturë kjo që ka për bazë një marrëveshje të jashtëligjshme. Institucioni më i lartë kulturor do të themelojë një komision, i cili do të merret me këtë çështje.

Gazeta javën e kaluar ka raportuar se Ministria e Kulturës s’e ka shlyer borxhin ndaj kompanive që rinovuan objektin e muzeut, sherri i shkeljes së procedurave, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo shumë e çon në 285 mijë koston e punimeve bashkë me aneks-kontratën, prej të cilave janë paguar 227 mijë euro.

“Fillimisht, MKRS-ja ka bërë kundërshtimin për të ekzekutuar këtë pagesë (pra 33 mijë euro) dhe atë për t’u siguruar se mund apo nuk mund të procedohet tutje, gjithnjë duke u siguruar për rregullsinë e procesit në fjalë”, shkruhet në përgjigjet e Ministrisë së Kulturës, për të cilat gazeta ka pritur një javë. Sipas Zyrës për informim të MKRS-së, deri më tani, pos këtij hapi, MKRS-ja ka angazhuar zyrtarë të caktuar që të bëjnë një analizë të situatës dhe, bazuar në rekomandimet e tyre, do të procedohet tutje.

“Pra është duke u bërë evaluimi i gjithë procedurës, letrave që posedojmë, gjendjes faktike, dhe legjislacionit përkatës në fuqi, ku pasi të kemi një pasqyrë reale e konkrete të gjendjes, varësisht nga nevoja, ne do të themelojmë një komision ad-hoc, i cili bazuar në dokumentet që ekipi i zyrtarëve do t’u ofrojë, edhe do të vendosin, dhe, do të propozojnë edhe masat proporcionale adekuate eventuale”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së.

Gazeta ka raportuar se tre zyrtarë ministrorë dhe punëkryesi, të mbledhur në një zyrë të MKRS-së, kanë vendosur që t’i japin punë në vlerë mbi 33 mijë euro operatorit ekonomik. Të gjitha “procedurat” janë zhvilluar midis tyre dhe është nënshkruar marrëveshja në vlerë prej 33 mijë e 441 eurosh, pa u përfillur Ligji për prokurimin publik, pa kaluar kontrata nëpërmjet Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe pa hapur thirrje publike për pranimin e ofertave. Kjo lloj kontrate është bërë me konsorciumin “NBT-ING” dhe “As-ing” nga Suhareka... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.