Kulturë

Artistja realiste që dikur ilustronte për protesta

Shtypja që përjetonin kosovarët nga regjimi serb në fund të viteve ’90, do ta shtynte Adelina Canollin që artin e saj ta vinte në shërbim të protestave.

Në demonstratat e viteve 1997 dhe 1998, do të angazhohej për ilustrimet e pankartave që mbanin të rinjtë. Ishin ilustrime të thjeshta në formatin A1, me thirrjet kundër mbylljes së shkollave shqipe e deri tek ngjarjet e tjera të tmerrshme për të kthyer vëmendjen tek viktimat, të plagosurit dhe krimet e tjera që kryheshin ndaj shqiptarëve.

Në vitin 1999, kur ajo shkoi në Britani të Madhe, hapi ekspozitë personale për luftën në Kosovë me ilustrimet e saj. E fotografi të këtyre punimeve ajo thotë se janë bërë pjesë e historisë. Ruhen në Arkivin e Prishtinës, shkruan Koha Ditore.

Bashkë me gjetjen e lirisë në një shtet tjetër ku nisi jetë të re, ndryshoi edhe arti i saj. Tani ajo fokusohet në portretet realiste, gati hiperrealiste, vizatime, piktura dhe punime e kartolinash e aksesorësh. Canolli ka arritur që të bëjë karrierë në Londër me ekspozita e prezantime të ndryshme. Edhe tash punimet e saj ekspozohen në rrugë. Por historia prapa tyre është krejt tjetër.

Piktura “Otto”, portret i djalit të saj, gjendet në një rrugë të kryeqytetit anglez në formë të një reklame. Ka zënë vend aty falë votave nëpërmjet internetit për ekspozitën që organizon galeria “London Loop”. Sa më shumë vota, aq më gjatë do të mbetet e ekspozuar vepra e saj, por jo vetëm kaq. Ky është një shans që të sigurojë “Çmimin e Madh” (Grand Prix) të ekspozitës... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)