Tërheq vëmendjen e artdashësve zviceranë ekspozita e piktorit Sam Asllani

Tërheq vëmendjen e artdashësve zviceranë ekspozita e piktorit Sam Asllani

20 mars 2018 11:55

Në lokalet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, në Gjenevë, po qëndron e hapur ekspozita e piktorit Samedin - Sam Asllani, e cila ka zgjuar kërshërinë e vizitorëve, shqiptarë dhe artdashësve zviceranë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit prill, ndërsa për shkak të hapësirës së pamjaftueshme janë ekspozuar 20 piktura, thuhet në njoftimin për këtë zhvillim kulturor, që iu dërgua redaksisë sonë.

Sam Asllani është piktor i lindur më 1969 në Kosovë, i cili nga viti 1993 jeton dhe punon në Lozanë.

Jeta artistike e Samedin Asllanit fillon qysh në moshën e tij shumë të re. Talenti i tij do të vërehet shumë shpejt nga gazetat e përditshme të njohura të asaj kohe, të cilat edhe do t’i publikojnë rregullisht karikaturat dhe ilustrimet e tija. Pasi regjistrohet në Akademinë e Arteve, ai braktis karikaturën për t’iu përkushtuar krejtësisht pikturës.

Vepra e Asllanit pasqyron një zhvillim të vazhdueshëm të shprehjes së tij artistike. Periudha e tij e parë e mësimit dhe formimit, me vegime ngjyruese, inspirohet shumë nga surealizmi. Është karakteristike për pikturën e tij përdorimi metodik i vijës harmonike me ngjyrë të zezë. Me ndihmën e penës, ai përvijon dhe luan me vijat e zeza, për të vënë në dukje format dhe për të nxjerrë në pah veçoritë e tyre.

Pastaj vjen një periudhë e zhvillimit të identitetit artistik nëpërmjet studimit të ngjyrave në raportin e tyre me format. Sinteza e këtyre eksperiencave shpie në një fazë të pjekurisë ku përdorimi i vijës së zezë dhe ngjyrave fisnikëron një vepër të shquar për nga stili unik. Këtë zhvillim e karakterizojnë piktura të mëdha akrilike me ngjyra të shkëlqyeshme dhe të pasuruara me shumë arabeska të zeza. Peizazhet ndonjëherë të trazuara, personazhet dhe objektet të pikturuar në mënyrë realiste ose alegorike, nxisin te shikuesit emocione të forta nëpërmjet larmisë së subjekteve të paraqitura.

I udhëhequr nga ndjenjat e tija, periudhat e ndryshme të jetës së tij janë paraqitur mbi pëlhurë. Rrethanat e krijimit në rininë e tij ndikojnë të paraqitjen e hijeve të errëta dhe të ftohta në pikturë. Ato kthjellohen gjatë viteve në vijim, për të na dhënë piktura më të lehta dhe më të ndritshme, por gjithnjë duke ruajtur në filigran stilin tij tani më krejtësisht të njohur.

Kjo veçanti është emëruar nga kritika e artit perëndimor “Stili Asllani”.

Vepra e tij ka qenë e ekspozuar nëpër shumë galeri të Zvicrës por edhe jashtë saj. Kohëve të fundit pikturat e Sam Asllanit janë vlerësuar shumë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë filluar të shpërndahen në formë të fotografive madje edhe përmes rrjetit të fuqishëm të shpërndarjes Amazon.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme