Kulturë

Arti i shtetit të izoluar

Një ditë para përvjetorit Pavarësisë së Kosovës, NEWBORN-it i janë rrëzuar dy shkronja për t’ia përçuar botës mesazhin: “Jo Mureve”. Por në të shumtën e rasteve, kufijtë e Kosovës janë mure edhe për artistët e Kosovës. Atyre u refuzohen vizat ose u duhet trajtim special nëpër ambasada për t’ia shpalosur botës krijimtarinë.

Në prag të 9-vjetorit të Pavarësisë, kosovarët kanë vërshuar rrjetet sociale me statuse pas lajmit se film britaniko-kosovar, “Home” u shpërblye prej Akademisë Britanike të Filmit dhe Arteve Televizive (BAFTA). Regjisori i filmit, Daniel Mulloy, ia kujtoi audiencës gjenocidin e luftës së fundit në Kosovë, duke e lidhur temën e filmit me fatin e producentëve të filmit, Arta Dobroshit, Shpend Qamilit e Shpat Dedës, si refugjatë lufte. Rrugëtimi i artistëve e sportistëve drejt majave botërore po shoqërohet me shumë vështirësi, shkruan sot Koha Ditore.

Nga Londra ka ardhur një tjetër lajm i mirë më 15 shkurt për Kosovën. Dua Lipa ka korrur një sukses të madh në karrierën e saj. Është shpallur artistja më e mirë në ndarjen e çmimeve nga “VO5 NME Awards”. Përtej La Manshit, xhudistet Majlinda Kelmendi e Distria Krasniqi, ngritën dy flamuj të Kosovës në kampionatin botëror. Me medalje të artë në qafë Majlinda e me të bronztë Distria u kthyen në Kosovë.

Me hashtagun “OurGirlsOurGold” e ka shoqëruar postimin e saj ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, e cila nuk lë sukses të sportistëve e artistëve pa e lavdëruar në “Facebook”. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.