Monumentet te “Adem Jashari” përplasin institucionet

Monumentet te “Adem Jashari” përplasin institucionet

17 mars 2018 15:07

Që nga paslufta krejt afër qendrës së Prishtinës përplasen dy koncepte. Ai që njihet si monumenti i “Vëllazërim-Bashkimit” ishte ngritur si përmendore që promovonte bashkëjetesën e shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve në Kosovë. Krejt afër zënë vend tetë figura njerëzish që paraqesin partizanët e gjashtë republikave e dy krahinave të ish-Jugosllavisë. E pas luftës së fundit, sheshi i këtyre përmendoreve është pagëzuar “Adem Jashari”. Kësisoj bart emrin e njeriut, i cili ka luftuar për një tjetër qëllim.

Por edhe investimi i Komunës së Prishtinës në këtë hapësirë ka shkaktuar përplasje të këtij institucioni me disa arkitektë, e edhe me institucione qendrore të trashëgimisë kulturore, shkruan sot Koha Ditore.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka kërkuar që të ndalen punimet pasi projekti është dashur të miratohet nga ky institucion, meqenëse hapësira është udhëkryq midis tri monumenteve. E në anën tjetër “Docomomo International” – Komiteti Ndërkombëtar i Dokumentimit dhe Konservimit të Objekteve, Siteve dhe Lagjeve të Lëvizjes së Modernizmit, ka kërkuar që skulpturat të mos largohen nga ai shesh e as baza e përmendores trekëndësh.

“Para disa ditësh Komuna e Prishtinës filloi punimet në rimodelimin e ish-sheshit të “Vëllazërim-Bashkimit” në qendër të qytetit, ku gjendet edhe monumenti i ndërtuar në vitet e 50-ta është pjesë e memories kolektive të qytetit, dhe për shumë dekada me radhë ka shërbyer si shenjë identifikuese e qytetit. Sipas vizualizimeve të prezantuara për publikun e gjerë nga Komuna e Prishtinës, shihet se monumentit do t’i largohen statujat e bronzit si dhe pjesa qendrore në të cilën pushon ky monument, pjesë këto integrale të monumentit”, shkruhet në reagimin e “Docomomo International”. Pos Komunës së Prishtinës, kjo letër i është adresuar edhe Ministrisë së Kulturës e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Po ashtu, janë ftuar që të reagojnë të gjithë individët dhe institucionet relevante që mund të parandalojnë “shkatërrimin e këtij monumenti me vlera të larta moderniste”. “Së bashku me ‘Docomomo International’, ‘Docomomo Kosova’ fton të gjitha institucionet relevante, në veçanti Komunën e Prishtinës dhe kryetarin e saj, që ta marrë këtë çështje me seriozitetin më të lartë dhe ta parandalojë shkatërrimin në pakthim të këtij monumenti”, shkruhet në letrën e firmosur nga Ana Tostoes, presidente e “Docomomo International” dhe arkitekti Bekim Ramku, president i “Docomomo Kosova”.

Por pavarësisht se në fotografinë e projektit, e cila është varur në këtë shesh nuk figurojnë skulpturat në pamjet pas rregullimit të pllakave, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ka thënë se skulpturat nuk do të largohen.

“Do të jenë. Nuk i lëvizim”, ka thënë ai. Për këtë çështje gazeta ka provuar që gjatë ditës të flasë me përfaqësuesit e kompanisë “Eko Group”, që ka nisur të punojë në sheshin “Adem Jashari”.

Punonjësit që kanë qenë aty kanë rekomanduar që të kontaktohet arkitekti i kësaj kompanie, Valmir Ademi. Por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike të gazetës.

Për dallim prej arkitektëve, institucionet e kulturës kanë kërkuar që të ndalet krejt puna përkohësisht.

“Konfirmoj shqetësimin e ngritur nga QRTK-Prishtinë dhe Inspektorati për Trashëgimi Kulturore pranë MKRS-së, se edhe për ndërhyrjen në dyshemenë e sheshit ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, përkatësisht në trekëndëshin e tri ndërtesave me status të monumentit, për shkak të perimetrit të tyre mbrojtës, ju duhet të ndaloni veprimtaritë e ndërhyrjes me karakter ndërtimor, si dhe të aplikoni për pajisje me pëlqim, në të kundërtën veprimi pa pëlqim do të konsiderohet ndërhyrje e paautorizuar”, shkruhet në e-mailin që ushtruesja e detyrës së drejtorit të IKMM-së, Ardiana Qorraj, i ka dërguar drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugovës.

“Ju lutem, që përkohësisht t’i pezulloni punimet dhe në afat sa më të shpejtë të procedoni në QRTK-Prishtinë kërkesën për shqyrtim të Projektit për rikonstruktimin e sheshit ‘Adem Jashari’, pasi që duhet të pajiset me pëlqim për vazhdim të punimeve nga IKMM-ja. Në të kundërtën, do të lëshojmë vendim për ndalim të punimeve, të cilin do ta procedojmë përmes QRTK-Prishtinë dhe në rast nevoje edhe përmes Inspektoratit tonë”, shkruhet në e-mail.

Rrënojat e Hamamit të vogël në oborrin e Kuvendit të Kosovës, Shtëpia gati njëshekullore, me pronar Gazmend Abrashin dhe Xhamia e Çarshisë bëjnë që sheshi “Adem Jashari” të jetë brenda perimetrit të mbrojtur shkaku i monumenteve. E përmendorja që ka formë trekëndëshi nuk është nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore.

“Nëse nuk janë ndalur punimet atëherë ne do të nxjerrim vendim për ndaljen e tyre”, ka thënë Ardiana Qorraj. Sipas saj, të martën, IKMM-ja do të shqyrtojë projektin e ndërhyrjen në sheshin “Adem Jashari”. E sipas kryetarit Ahmeti, kjo çështje është sqaruar.

“Është sqaruar ajo punë pasi nuk preken dy monumentet”, ka thënë ai.

Në të kaluarën Komunës së Prishtinës i ishte kërkuar që të rrënohet ky memorial. Ishte kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedaj, aktualisht zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ai që nëpërmjet një letre i kishte kërkuar ish-kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, që ta rrënojë këtë përmendore. Dedaj këtë e kishte bërë në janarin e vitit 2013, kur shteti serb në Preshevë me xhandarmëri kishte larguar lapidarin ku gjendeshin emrat e të rënëve në luftën e asaj që quhej Ushtria Çlirimtare Kombëtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Përmendorja e “Vëllazërim-Bashkimit” e njohur si “Trekëndëshi” përbëhet nga tri shtylla të gjata prej 22 metrash, të ndërtuara me beton e hekur. Kjo përmendore simbolizon bashkimin e tri kombeve kryesore që jetonin në Kosovë, të cilat ishin pjesë të luftës partizane, shqiptarët, malazezët dhe serbët. Tetë statuja të ushtarëve partizanë qëndrojnë para përmendores. Autor i krejt memorialit është skulptori i njohur serb Miodrag Zhivkoviq, që u lind më 1928 në Leskoc të Serbisë. U ngrit më 1961, përderisa Zhivkoviq është autor i njohur i veprave të artit nëpër gjithë ish-Jugosllavinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme