Prishtinë, 9 mars – Në mënyrë të sofistikuar vihet në pah ana e muzikës ballkanike në një koncert jazzi. Kjo nënkupton se kompozimet në përgjithësi përcillen me energji dhe lojë të lirë.
Gërshetimet e tij që njihen si “free jazz” me elemente të modernes dhe tingujve që karakterizojnë muzikën e rajonit por edhe orientalen janë bërë pjesë e një projekti muzikor që mbledh muzikantë të njohur vendorë dhe botërorë, shkruan sot Koha Ditore.
Jazz-bateristi Nesim Maxhuni ka dalë i pari në skenë për të bërë hapjen e koncertit me një lojë të shkëlqyer në bateri. Muzikantët e tjerë i janë bashkuar një nga një. Tingujt që krijon jazz-saksofonisti slloven Jure Pukl janë një lloj paralajmërimi se çfarë ka në përmbajtje “Homecoming”, albumi i Maxhunit.
Ky projekt muzikor i realizuar vitin e kaluar sjell rikthimin e Maxhunit në shtëpi, e kjo bëhet përmes tingujve. Kompozimi nga i cili albumi mori titullin përshkruan eksperiencën e kthimit nga Tirana, aty ku Maxhuni kishte qëndruar si refugjat për katër muaj gjatë luftës.
Në këtë formë ai të mërkurën e bëri publikun edhe një herë për vete, në interpretimin live në bateri bashkë me kitaristin e njohur kosovar, Armend Xhaferi, kontrabasistin maqedonas Kiril Tufekcievski, dhe dy instrumentistë të njohur të muzikës jazz në skenën e New Yorkut, Pukl dhe pianisti Marko Çrnçec (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
-
9 mars 2018 12:39
-
Shpërndaje në: