“Rrugët e lirisë” për veprën dhe sakrificën e familjes Jashari

“Rrugët e lirisë” për veprën dhe sakrificën e familjes Jashari

08 mars 2018 10:32

Prishtinë, 8 mars - Qielli i ngrysur me nuanca të së gjelbrës dhe të hirtës mbulon varrezat ku prehen anëtarët e familjes Jashari. Flamuri kombëtar nuk mungon. Me kompozicione të çrregullta, përmes lojës me ngjyrën dhe vijën, marrin formë piktura që paraqesin një prej kapitujve qendrorë të historisë së fundit të Kosovës.

Komandanti legjendar Adem Jashari, kullat e familjes së tij dhe flijimi për liri, janë bërë pjesë e pikturave të artistit Xhevdet Pantina. “Rrugët e lirisë” është titulli i kësaj ekspozite, e cila u hap të martën mbrëma në Muzeun e Kosovës, në 20-vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”.

Pantina në pikturat e tij ka pasqyruar kullat në flakë. Më pas spërkatjet me brushë sikur i japin ndjesinë e pikave të gjakut që i ka mbuluar ato. Janë shenjat e dhimbjes. Më pas kullat rikthehen në të sotmen, të përforcuara, derisa aty dominojnë ngjyrat e errëta. “Rrugët e lirisë” vjen si një rrugëtim i rezistencës së familjes Jashari. Mbi të gjitha, është pikë e ballafaqimit me të kaluarën.

Kritiku e historiani i artit, Ilir Muharremi, ka thënë se arti i Pantinës nuk është vetëm paraqitje e lojës me ngjyra, vija e forma, por edhe përshkrim i ndjenjave duke u bazuar në ngjarje reale. Ai e ka lëvduar guximin e artistit, por edhe mundin, që të trajtojë një temë të tillë.

Në këtë ekspozitë ishte i pranishëm edhe Bekim Jashari, pjesëtar i familjes së dëshmorëve.

Kujtim Gashi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili ka qenë prezent në hapje, ka thënë se kjo ekspozitë shërben për të kujtuar veprën, sakrificën dhe gjakun e atyre që ranë për lirinë e vendit.

Enver Hoxhaj, në cilësinë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, tek e ka shpallur të hapur ekspozitën, ka bërë thirrje që të reflektohet mbi të kaluarën e popullit kosovar, por edhe për të ardhmen (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme