Kulturë

Jure Pukl me shokë në aventurën plot emocion të tingujve jazz

Një pjesë e mirë e kompozimeve që janë pjesë e projektit “Doubtless” të Jure Pukl kanë ngjyrime emocionale të momentit: gëzim, hidhërim, nostalgji, kujtime dhe shpresë.

Aty gjen edhe tinguj të jazzit sa modern aq edhe klasik, një qasje që u jep kuptim rrënjëve të muzikës klasike për Pukl si saksofonist i shkolluar në Universitetin e Vjenës. Këtë projekt të muzikës jazz ai e realizoi bashkë me saksofonisten Melissa Aldana, kontrabasistin Joe Sanders dhe bateristin Gregory Hutchinso, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në Prishtinë, të hënën, Aldanën e zëvendësoi trumbetisti Philip Dizack. “Doubtless” i Jure Pukl mëton të vërë në pah energjinë, emocionin dhe ngjyrat muzikore. Si e tillë kjo katërshe hapi edicionin e parë të “Prishtina Winter Jazz Week”, të cilin e organizon bateristi i njohur kosovar Nesim Maxhuni. Është shenjë e rikthimit në kryeqytet të maratonës së jazz-koncerteve, një traditë që zgjati për një dekadë me “Prishtina Jazz Festival” e që u ndërpre më 2014.

Pukl, i cili është me prejardhje sllovene por që jeton New York, njihet për lojën e tij dhe inovacionin që sjell në muzikën jazz.

E për jazz-pianistin e njohur kosovar Ilir Bajri, performanca e tyre ishte fantastike.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se nëse Bajri zotohet të kujdeset për anën artistike, Komuna do ta financojë festivalin e tij, i cili çdo vit është mbajtur në vjeshtë. Shpend Ahmeti me këtë rast bëri thirrje që Prishtina të bëhet qendër e jazzit në Ballkan... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)