Kulturë

“DokuFest”, “Anibar” e “Termokiss” vijnë me projektin “Hacking Urban Spaces”

Prishtinë, 1 mars – Një seri filmash dokumentarë janë përzgjedhur si shembuj të mirë për aktivizmin qytetar, njohjen e vlerave dhe iniciativave të përbashkëta.

Me temën “A munden filmat me e ndryshu shoqërinë”, dy festivale të mëdha të filmit në Kosovë, “DokuFest” e “Anibar”, i kanë bashkuar forcat edhe me qendrën “Termokiss”, për të sjellë projektin “Hacking Urban Spaces”. Në këtë formë do të shfaqen një seri e përzgjedhur e filmave që përqendrohen kryesisht në sfidat e efikasitetit në strategjitë urbane, në rritjen e popullsisë, transportin e ngulfatur, mjedisin dhe problemet e tjera të veçanta me të cilat ballafaqohen tri qytetet më të mëdha të Kosovës: Prishtina, Prizreni dhe Peja.

Në Prizren filmat do të shfaqen në “DokuKino”, në Pejë në “Jusuf Gërvalla”, ndërsa lokacioni i Prishtinës ende nuk është bërë i ditur. Në një komunikatë të përbashkët të tre akterëve, thuhet se ky program u dedikohet studentëve të universiteteve dhe nxënësve të shkollave të mesme të larta të këtyre qyteteve, të cilët në fund të çdo cikli do të kenë mundësinë të debatojnë për këto sfida me vendimmarrësit e qeverive përkatëse lokale, si dhe planet e tyre në përfshirjen e komuniteteve lokale dhe aktivistëve për një menaxhim më të mirë të hapësirave publike (gjerësisht, sot në “kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.