Rituali i vajtimeve shqiptare në instalacionin e artistes amerikane

Rituali i vajtimeve shqiptare në instalacionin e artistes amerikane

27 shkurt 2018 15:00

Organizata londineze e arteve “ArtAngel” ka bërë të ditur se artistja multidisiplinare Taryn Simon do të shpalosë veprën e saj “An Occupation of Loss” në Londër gjatë muajit prill.

E realizuar në origjinal për “Park Avenue Armory” të New Yorkut, projekti i artistes Taryn Simon sjell vajtues profesionistë prej më shumë se 30 shteteve që të vërë në skenë ritet e tyre të pikëllimit dhe të vajit, shumica prej të cilave datojnë prej para erës sonë e para përhapjes së islamit.

Në shkrimin e Wallpaper, që e transmeton sot “Koha Ditore”, thuhet se çdo natë për një javë të tërë, vajtuesit kanë performuar brenda një serie prej 11 shtyllave prej betoni. Me një stil tejet të përpiktë, Simon, po ashtu, ka dokumentuar procesin e saj të hulumtimit, aranzhimin e vizave për nevoja të performuesve që të futeshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të ushtrojnë për monografi, të botuar nga Hatje Cantz.

Specifikat e këtij instalacioni në Londër ende nuk dihen dhe kanë mbetur si mister. Ambienti ku do të zërë vend ky event është përshkruar si “një hapësirë shpellore e pazbuluar nën Islington Green“, derisa artistja nuk ka dashur të japë detaje të sakta e as fotografi të arkitekturës së vendit, në mënyrë që të krijojnë elementin e befasisë për vizitorët. Në vendin e objektit të OMA-s (Office for Metropolitan Architecture), Simon është duke dizajnuar një seri të skulpturave për të strehuar vajtuesit, të cilët vijnë nga 11 shtete të ndryshme, përfshirë Azerbajxhanin, Kinën, Rusinë dhe Venezuelën.

Gjëmat apo vajtimet përfshijnë edhe ato shqiptare që gërmojnë “fjalë të paharruara”; ritualet venezuelase të mbrojtjes së pasazhit të shpirtit, deri tek vajtimet greke që shpalosin histori të jetës, dhe jetës pas vdekjes, e po ashtu edhe performanca të yezidëve të cilët rinumërojnë eksperiencat e ekzilit dhe zhvendosjes.

“Humbja jep një hapësirë emocionale dhe një cenim në të cilën individët duket se veprojnë pa dredhi”, citohet të ketë shkruar artistja në librin e mysafirëve. “Dua të shikoj potencialin e kësaj hapësire dhe mekanizmit të saj – madje edhe mënyrat se si mund të programohet ose performohet”. Ajo, po ashtu, ka thënë se projekti ka të bëjë me faktin “se si vajtojmë individualisht, ndërkombëtarisht, globalisht – se si religjioni i organizuar, qeveritë apo lidershipi qytetar drejton dhe i jep formë vajtimit dhe se si qytetarët janë të mobilizuar në momente të humbjes së dikujt të dashur”.

Performanca në Londër në njëfarë mënyre është rikthim në shtëpi, duke e parë si projekt i cili nisi si bisedë mes Simon dhe drejtorit të “ArtAngel” Michael Morris në kryeqytetin britanik para gjashtë vjet.

“Mbajtja e zisë në këtë vepër të re e ambicioze për Londrën e paraqet Simonen si një artiste, e cila ka arritur të gjejë një hapësirë brenda një instrumenti sonik për performancën e vajtimit, duke matur humbjet përtej atyre që shprehen me fjalë”, ka thënë Morris. Në një shtet që momentalisht është rrethuar nga thyerja sociale dhe pasiguria politike, ankthi dhe katarsisi, performanca e “An Occupation of Loss” pa dyshim se do të rezonojë.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme