Hapet ekspozita “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878”

Hapet ekspozita “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878”

22 shkurt 2018 15:35

Me rastin e 140-vjetorit të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, sot në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” është hapur ekspozita “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878”, e cila u mundësua nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Qendra Dokumentare Shkencore dhe Këshilli Kombëtar për Paqe.

Kryeshefi ekzekutiv i Arkivave Ramë Manaj, tha se në këtë ekspozitë janë prezantuar gjithsej 120 fotografi, harta dhe dokumente që pasqyrojnë spastrimin etnik të shqiptarëve në vendbanimet e Nishit.

Ai tha se dokumentet e paraqitura në këtë ekspozitë dëshmojnë shtrirjen e popullit shqiptar deri në Nish e Pirot, si dhe numrin e shqiptarëve që janë jetuar në ato treva, transmeton kp .

“Dokumentet autentike arkivore të ekspozuara në ekspozitë dëshmojnë për shtrirjen kontinuive të popullatës shqiptare deri në Nish e Pirot dhe jetesën e tyre në këto qytete si Kralevë, Smederevë, Krushevc, Kurshumli e të tjera. Këtu janë paraqitur në mënyrë faktografike të dhëna për numrin e shqiptarëve në këto treva, emrat e 703 vendbanimeve të Sanxhakut të Nishit në të cilat ka jetuar popullata shqiptare me rreth 250 mijë banorë duke filluar nga Alabana, Arbanasi”, tha ai.

Ai po ashtu tha se hartat e ekspozuara dëshmojnë zgjerimin e Serbisë dhe shteteve tjera fqinje në dëm të territorit të Kosovës.

Udhëheqësi i Qendrës Dokumentare Shkencore, Jusuf Osmani tha se eksponatet e prezantuara në ekspozitën “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878” dëshmon për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone në Sanxhak të Nishit.

Ai po ashtu tha se kjo ekspozitë përkujton pasojat e pasardhësve që u larguan me dhunë nga ushtria serbe në vitet 1877-1878.

“Shpalosin dëshmitë e dokumentuara nga shumë burime për spastrimet etnike të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone nga fshatrat dhe qytetet e Sanxhakut të Nishit duke përkujtuar edhe pasojat të cilat sot e kësaj dite në memorien e brezave të pasardhësve të larguar me dhunë nga ushtria serbe në vitet 1877-1878” ,tha ai.

Në hapjen e ekspozitës “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878” është shfaqur edhe filmi dokumentar i gazetarit Marin Mema “Nga Nishi te Molla e Kuqe” dhe intervista e Sabit Ukës e realizuar nga Radio Televizioni i Kosovës, të cilat rrëfejnë për spastrimin etnik të shqiptarëve në Sanxhak të Nishit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme