Kulturë

Agnus Dei me çmimin kryesor ndërkombëtar në festivalin e Medelinit në Kolumbi

Filmi kosovar ‘Agnus Dei’ me skenar dhe regji të Agim Sopit, ka triumfuar edhe në festivalin Medellin International Film Festival, i cili është mbajtur nga data 12 deri më 19 shkurt në Medellin të Kolumbisë.

Në eventin më të rëndësishëm të qytetit me dy milionë e gjysmë banorë, filmi kosovar ‘Agnus Dei’ ka fituar Çmimin e filmit më të mirë në Kategorinë A, si dhe çmimin e aktorit më të mirë në Kategorinë individuale, z. Astrit Alihajdaraj.

Nga më shumë se 4700 filma sa kishin konkurruar në këtë festival, në konkurrencë zyrtare për çmimin kryesor kanë garuar tetë filma. Festivali që në Edicionin e 2018 ka pasur mbi 15.000 shikues, ka shpallur fitues filmat: Filmi më i mirë i metrazhit të plotë në Kategorinë A - ‘Agnus Dei’ me regji të Agim Sopit nga Kosova Filmi më i mirë dokumentar - ‘El Perro De Ituzaingo’ me regji të Patricio Carroggio nga Argjentina, kurse Çmimi i publikut, ka shkuar për filmin – ‘Hola, Me Llamo Carla’ me regji të Gabriel Beitia nga Spanja.

Me këto dy çmime të reja AGNUS DEI, shënon 97 çmime ndërkombëtar të fituara nga më shumë se 210 festivale në të katër anët e botës.