Kulturë

Dua Lipa s’ka pasur ftesë zyrtare për Ditën e Pavarësisë

“Të gjitha diskutimet që i kemi bërë për ardhjen e mundshme të Duas në Prishtinë kanë qenë lidhur me kohën dhe orarin e saj,
por edhe këto biseda kanë qenë në forma miqësore, krejtësisht jozyrtare. Prandaj nuk është i vërtetë as pretendimi e as shuma e cila është përfolur në këto portale, pasaktësi për të cilën ne ndiejmë keqardhje”, është përgjigjja që i ka dhënë “Kohës Ditore” stafi i këngëtares me famë botërore.

Dua Lipa nuk ka pasur ftesë zyrtare nga institucionet e vendit që të performojë në Prishtinë në Ditën e Pavarësisë. E për më tepër, as që është biseduar për ndonjë kosto që ajo t’i përgjigjej ftesës. Këtë e kanë konfirmuar stafi i këngëtares së njohur botërore ashtu sikurse edhe Presidenca e Kosovës.

Kjo e fundit ka thënë se ka tentuar ta sillte edhe Lipën dhe këngëtaren tjetër me prejardhje shqiptare Bebe Rexha, por krejt këto kanë mbetur në nivel bisedash pasi një gjë e tillë paraprakisht ka qenë e pamundur. Dukagjin Lipa, pjesë e stafit menaxherial dhe njëherësh babai i këngëtares që po arrin majat në skenën botërore, i ka thënë “Kohës Ditore” se të gjitha diskutimet janë bërë në lidhje me kohën dhe orarin e saj, por edhe këto biseda kishin qenë jozyrtare.

“Të gjitha diskutimet që i kemi bërë për ardhjen e mundshme të Duas në Prishtinë kanë qenë lidhur me kohën dhe orarin e saj, por edhe këto biseda kanë qenë në forma miqësore, krejtësisht jozyrtare. Prandaj nuk është i vërtetë as pretendimi e as shuma e cila është përfolur në këto portale, pasaktësi për të cilën ne ndiejmë keqardhje”, ka thënë Lipa.

Nga momenti kur Rita Ora konfirmoi ardhjen e saj në Prishtinë, duke postuar nëpër rrjete sociale lajmin me datën 14 të muajit shkurt, nëpër mediat online nisën të qarkullojnë spekulime se Dua Lipa kishte refuzuar ftesën dhe se kishte kërkuar një shumë prej 200 mijë eurove, që të bëhet pjesë e koncertit festiv.

“Duke qenë se ne nuk kemi pranuar asnjë ftesë zyrtare nga asnjë institucion shtetëror, ne as në kanale joformale nuk kemi diskutuar për çështje financiare”, ka thënë prerazi Lipa. Se as që ka pasur ftesë zyrtare për Dua Lipën e ka konfirmuar edhe Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh edhe pjesë e Këshillit Organizativ për shënimin e dhjetëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ka thënë se janë munduar të kontaktojnë edhe me Dua Lipën, por edhe Bebe Rexhën, të cilat, sipas tij, kanë qenë të gatshme të vinin, por si rezultat i koordinimit të kohës së tyre, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Megjithatë, ai pranon se ftesë zyrtare nuk ka pasur, por thotë se janë zhvilluar biseda.

“Ka pasur biseda. Nuk ka pasur ashtu siç po raportohet nëse ka dashur ose jo të vijë, e as që bëhet fjalë për shumën prej 200 mijë eurove. Nuk e di se nga kanë dalë këto informata të pasakta”, ka thënë ai, teksa ka sqaruar për bisedat që janë bërë me menaxhmentin e yllit botëror, Dua Lipa.

“Këshilli Organizativ është munduar që të kontaktojë me ato, janë shprehur të gatshme, por për shkak të koordinimit të kohës nuk kemi pasur mundësi t’i sjellim. Për shkak të obligimeve kontraktuale nuk kanë mundur të përgjigjen. Edhe Bebe Rexhën e kemi kontaktuar, por as ajo nuk ka mundur për shkak të obligimeve kontraktuale. Kompanitë e aranzhojnë agjendën. Rita Ora e ka ndarë kohën më herët të vijë. Këtu nuk ka të bëjë me dëshirën e tyre nëse duan apo jo të vijnë, sepse e kanë një menaxhment prapa vetes”, ka thënë Arifaj.

Një tjetër çështje, e cila ditëve të fundit po ashtu është përfolur shumë nëpër mediat vendore, është edhe raporti jo i mirë midis dy këngëtareve kosovare, të cilat jetojnë në Londër, e që po prekin majat e karrierës së tyre me suksese të njëpasnjëshme.

“Dua dhe Rita janë dy profesioniste të cilat kanë karriera dhe audienca të posaçme, për të cilat ato punojnë dhe po arrijnë sukses kulminant në skenën botërore të muzikës. Nuk ka dhe nuk ka pasur asnjë lloj armiqësie mes tyre”, ka thënë Dukagjin Lipa. Rita Ora gjatë konferencës që mbajti të shtunën në Prishtinë pak orë para se të ngjitej në skenë në sheshin “Skënderbeu” ka përmendur pikërisht edhe dy këngëtaret shqiptare të cilat po ndërtojnë karrierën në botë: Dua Lipën dhe Bebe Rexha. Ajo ka thënë se është shqiptarja e parë këngëtare e cila u prezantua para botës dhe arriti një famë që e gëzon edhe sot, derisa përmendi Bebe Rexhën e Duan, të cilat tash po bëjnë të njëjtën gjë. E pyetur nëse publiku do t’i mundë t’i shihte bashkë në një skenë, ajo ka thënë se është e hapur për një gjë të tillë.

“E di se ne të gjitha jemi shumë të zëna. Pata rast të takohem me Beben në New York dhe ajo tani është një prej mikeve të mia më të mira. Nuk kam pasur rast të takohem me Duan, kemi qenë shumë të zëna. E di që ajo është në turne, ndërsa unë po bëj turneun e punën time. Por nuk i dihet. Kurrë mos thuaj kurrë. Më njihni mua, kam qenë këtu dhe jam e gatshme që të gjithë të vijnë dhe të na bashkohen që të krijojmë një moment të mrekullueshëm”, kishte thënë Ora.

Momente të mrekullueshme kishte sjellë edhe Dua Lipa me koncertin e saj më 9 gusht të vitit 2016 në Parkun e Gërmisë në Prishtinë. Kryeqytetit të Kosovës ia dha imazhin e metropoleve botërore. E realizoi atë që e kishte premtuar tetë muaj më herët në intervistën ekskluzive dhënë “Kohës Ditore” për numrin festiv të 2016-s.

“Mendoj që shumë shpejt do të kemi diçka të re. Po e mbajmë pak një sekret”, kishte thënë ajo kur ishte pyetur për ndonjë projekt në lidhje me Kosovën. “Shumë mirë me qenë në shtëpi”, ka thënë ajo në një tjetër intervistë ekskluzive për mediat e Grupit KOHA, një ditë para se dilte para 20 mijë vetave në kryeqytet. Po në atë intervistë kishte thënë se përfaqëson vendin e saj, edhe pse nuk është e lindur në Kosovë. “Kam jetuar në Kosovë, ndihem shqiptare, ndihem e Kosovës, e Prishtinës 100 për qind”, kishte thënë ylli botëror.