Kulturë

Një operacion global policor konfiskon 41 000 artefakte

Më shumë se 41 000 objekte kulturore u sekuestruan gjatë një operacioni kundër trafikut të paligjshëm organizuar në 81 vende nga Organizata Botërore e Doganave (OMD), Europol dhe Interpol, njoftoi sot kjo e fundit.

“Këto monedha, mobilje, piktura, instrumente muzikore, skulptura dhe objekte arkeologjike u sekuestruan gjatë një operacioni botëror kundër trafiqeve të objekteve kulturore”, shtoi organizata ndërkombëtare për bashkëpunimin policor në një komunikatë.

Ky operacion botëror u zhvillua në kuadër të operacionit “Athena”, bashkorganizuar nga Organizata Botërore e Doganave dhe Interpoli dhe operacioni ”Pandora II”, koordinuar nga Europol dhe Guardia Civile spanjolle.

“Dhjetëra mijëra kontrolle u realizuan në aeroportet dhe kufijtë e 81 vendeve gjatë këtyre operacioneve, që janë zhvilluar nga tetori në dhjetor 2017”, sipas Interpol.

Shtëpitë në shitje, muzetë si dhe vende të veçanta janë inspektuar duke bërë të mundur hapjen e më shumë se 300 hetimeve dhe duke çuar në 101 arrestime.

Mes objekteve të gjetura, Interpoli përmendi rastin e një guaske glyptodoni, një tatuazh gjigant të zhdukur, gjendur nga policia federale argjentinase.

Kjo guaskë, më shumë se 1 000 000-vjeçare, ishte shitur për 150 000 dollarë.

Një pikturë e Nicolas de Staël, vlerësuar rreth 500 000 euro, u kap nga doganat franceze në veri të Parisit, ndërkohë që po përgatitej të nisej drejt Londres.

“Më shumë se 7 000 objekte, rreth 20% të numrit total të objekteve të gjetura në këto operacione, u zbuluan në faqet e shitjeve në internet”, zbulon Interpol.