Agnus Dei me dy çmime të para në Kolumbi

Agnus Dei me dy çmime të para në Kolumbi

21 shkurt 2018 11:34

Filmi kosovar ‘Agnus Dei’ me skenar dhe regji të Agim Sopit, ka triumfuar edhe në festivalin Medellin International Film Festival, i cili është mbajtur nga data 12 deri më 19 shkurt në Medellin të Kolumbisë.

Në eventin më të rëndësishëm të qytetit me dy million e gjysmë banorë, filmi kosovar ‘Agnus Dei’ ka fituar Çmimin e filmit më të mirë në Kategorinë A, si dhe çmimin e aktorit më të mirë në Kategorinë individuale, z. Astrit Alihajdaraj.

Nga më shumë se 4700 filma sa kishin konkuruar në këtë festival, në konkurencë zyrtare për çmimin kryesor kanë garuar tetë filma. Festivali që në Edicionin e 2018 ka pasur mbi 15.000 shikues, ka shpallur fitues filmat: Filmi më i mirë i metrazhit të plotë në Kategorinë A - ‘Agnus Dei’ me regji të Agim Sopit nga Kosova Filmi më i mirë dokumentar - ‘El Perro De Ituzaingo’ me regji të Patricio Carroggio nga Argjentina, kurse Çmimi i publikut, ka shkuar për filmin – ‘Hola, Me Llamo Carla’ me regji të Gabriel Beitia nga Spanja.

Filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër në Kategorinë B - ‘María Fernanda In Time’ me regji të Xavier Pijuan nga Spanja, dhe Filmi më i mirë i animuar - ‘Patrioska’ me regji të Tiago Araújo nga Portugalia.

Në kategoritë individuale janë shpërblyer: Ashin Meshram - Regjisori më i mirë për Filmin ‘Eni’, Sebastian Petreti – Skenaristi më i mirë për filmin ‘ State of Emergency Motherfucker’, Diego Jimenez – Fotografia më e mirë për filmin ‘The Good Boy’ dhe Astrit Alihajdaraj – Aktori më i mirë për filmin ‘Agnus Dei’.

Me këto dy çmime të reja AGNUS DEI, shënon 97 çmime ndërkombëtar të fituara nga më shumë se 210 festivale në të katër anët e botës.

“Filmi ‘Agnus Dei’ ngrihet mbi idenë e përsëritshmërisë së mitit. Njeriu si qenie e brishtë dhe e lëndueshme, gjithnjë është në humbje. Edhe atëherë kur dashuron, kur ka pushtet, apo kur është i dëshpëruar. Edhe kur dëshiron të ikën nga e keqja , por edhe kur i shkon të keqes përball.

Duke gjakuar gjithnjë pushtetin, i paskrupullt në veprim, njeriu në mënyrë permanente lufton për të dominuar ndaj llojit të vet, përherë egoist edhe atëherë kur lumturinë e vet e ngre mbi dhembjen e tjetrit. Në realitet njeriu, gjithnjë sillet në rrethin vicioz të përsëritshmërisë së fatit, Edipi në antikitet, apo Petri në ditët tona. Maria dhe Petri, mëmë e bir, dy fytyra të një medaljoni, vazhdimisht të pushtuar me dashuri dhe urrejtje, me një energji demoniale që kapërcen arsyen dhe i nënshtrohet pasionit të motivuar politikisht, etnikisht apo ideologjikisht. Në etapa krejt të ndryshme socio-politike /në kohën e komunizmit, apo në kohën e tranzicionit të përfshirë me luftëra/ Maria dhe Petri, ngelin po ata. Ndryshojnë vetëm format. Ambalazhi i jetës. Por në esencë, njeriu mbetet i njëjti. Ujk i etur për gjakun e llojit të vet.

‘Agnus Dei’ nuk pretendon të ndryshojë asgjë. Filmi rrëshqet lehtas, plotë pasion dhe lirizëm nëpër trajtat e ashpra të jetës së vrazhdë në diktaturë e luftë. Duke qenë dëshmitar i rrënimit dhe humbjes. E shprishjes së individualitetit si njësi themelore e jetës dhe shprishjes së familjes si institucion themelor i civilizimit. Në këtë mënyrë, ‘Agnus Dei’ pretendon të shndërrohet në një kronikë historie mbi humbjen, mbi mitin e përsëritshëm dhe të ringjallur nëpër kohë.

‘Agnus Dei’, pra nuk ka për qëllim të ndryshojë përfytyrimin e asaj që ka ndodhur. Ai pretendon të rrëfejë historinë e dashurisë dhe urrejtjes në dy breza. Të vuajtjeve, të pamundësisë, të vullnetit për jetë edhe atëherë kur jeta shfaqet e pamundshme, të pasionit për të dashur dhe për të qenë i dashur. Të pasionit të urrejtjes dhe mërive deri në asgjësim. ‘Agnus Dei’ nuk akuzon, nuk paragjykon, nuk anon, nuk ka qëllime politike e as pretendime filozofike. Thjesht, ‘Agnus Dei’ shfaq jetën në luftë permanente, jetën që ka marr dimensione miti dhe që nuk mund të dal nga labirinti i providiencës /jo hyjnore/ po njerëzore” (Fjala e regjisorit).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme