300 mijë njerëz ndjekin Orën në koncertin madhështor në Prishtinë

18 shkurt 2018 19:24

Një spektakël madhështor ka dhuruar mbrëmë këngëtarja me famë botërore, Rita Ora.

Mijëra qytetarë kishin zënë vend në sheshin “Skënderbeu” e bulevardin “Nëna Terezë” shumë orë para, në pritje të orës 10, atëherë kur Rita Ora pritej që të ngjitej në skenë, raporton KTV.

Koncertin ajo e nisi me këngën “I will never let you down”. Por atmosferën e ndezi kur erdhi koha që ta këndojë këngën e saj “Shine your light”, videoklipin e së cilës e kishte realizuar në qytetet e Kosovës.

Për gjithë ata që kishin vendosur ta ndiqnin nga afër koncertin e saj, ajo kishte bërë një befasi.

Së bashku me ekipin e saj të valltarëve nisën vallen e Rugovës, të cilën e kishte realizuar përmes një kombinimi me këngën e saj.

Mirëpo, jo të gjithë kishin mundësi të shihnin performancën e saj.

Radio Televisioni i Kosovës, ndërpreu interpretimin pas dy këngësh për të vazhduar programin e rregullt.

Kjo ngjalli reagime dhe zemërim të qytetarëve, të cilët përmes rrjeteve sociale kanë vënë në diskutim nëse duhet vazhduar të paguhet puna e televizionit nga buxheti i shtetit.

Por, redaktori përgjegjës, Lorik Arifaj, përmes një postimi në facebook ka sqaruar se marrëveshja me organizatorët e koncertit ishte që të transmetohen vetëm dy këngë.

Edhe pse Rita këndoi vetëm disa nga këngët e saj, qytetarët u ndanë kryesisht të kënaqur me koncertin.

Numri i pjesëmarrësve në këtë koncert mendohet të ketë arritur në 300 mijë qytetarë.

Për numrin e madh të qytetarëve në koncert ka shkruar edhe vetë Ora.

Në një postim në Instagram ajo ka falënderuar të gjithë që morën pjesë në koncert, ndërsa ka shtuar se është tejet e lumtur dhe krenare që është shqiptare.

“Sapo më kanë thënë që rreth 300 mijë njerëz ishin për të më parë sonte. Urime Dita e Pavarësisë. Nuk do të doja të isha askund tjetër në botë. E nisëm bashkë këtë, pa ju nuk do të isha këtu”, ka shkruar ajo në Instagram.

Koncerti është përmbyllur me ndezjen e fishekzjarrëve të pavarësisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme