Kulturë

Në Bibliotekën Kombëtare hapet ekspozita “Kosova nga historia në shtetësi”

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, është hapur ekspozita me titull “Kosova nga historia në shtetësi” për të krijuar në udhëtim prapa në kohë të Kosovës nga viti 1930 e deri me sot.

Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, tha se ekspozita jep zhvillimin e institucioneve publike, kulturore e shkencore dhe ndikimin e tyre, por edhe historinë në ruajtjen e vlerave morale dhe kombëtare që lidhen me mënyrën e sjelljes konservatore.

Të gjitha punimet që do të jepen në këtë ekspozitë do të ruhen në BKK, pasi sipas drejtorit Gajraku, imtësitë në bibliotekë duhet t’i marrin për të mëdha, sepse imtësitë, civilizimet të kombeve i janë ruajtur vepra të mëdha.

Ai theksoi se duhet të sigurohet se po e ruajnë kujtesën një për një, njësi për njësi e vjet për vjet, jo vetëm në formën e shkrimit sistematik, por edhe të rrëfimit e filmit, sidomos tash kur teknologjia është e përkryer për ta bërë këtë.

“Kjo ekspozitë e zbulon atë pjesë të rëndësishme të informacionit në kërkimet historike për Kosovën që siç do të shihni i jep të kuptohet se si Kosova nga një temë e mbyllur, vjen e bëhet e njohur për kultura e autorë të gjuhëve të ndryshme. Në këtë ekspozitë të librit është bërë një ekspozim i burimeve me vlerë për të kapur shtrirjen duke hequr me një anë pretendimin për të bërë një ekspozitë me tituj me të arrirë, po them se kemi marrë parasysh me vëmendje dhe duresë verifikimin për përfshirje të zgjeruar vlefshmërinë e punimeve që po ekspozojmë, si informacion apo si përmbajtje për t’u vënë re se kah ka kaluar Kosova dhe kontekstin e saj në gjerësi”, tha Gajraku, raporton KP.

Gajraku tha se ky përvjetor duhet të jetë shtysë e fortë për të kultivuar dhe ruajtur kulturën e Kosovës.

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe shkolla e mesme e ulët “Pavarësia”, e cila është themeluar në vitin 2009. Drejtori i kësaj shkolle, Shefki Rusinovci tha se emri “Pavarësi” është emër që iu jep fuqi dhe motiv.

“Ne e pranuam me kënaqësinë me të madhe iniciativën që përmes një ekspozite me punimet e fëmijëve të nivelit nga klasa e pestë deri në të nëntën në dy fusha, gjuhës dhe letërsisë dhe në fushën e artit të marrin botën e fëmijëve se si ata e përjetojnë këtë përvjetor dhe sa do të jetë ajo ndikuese në imagjinatën, motivin e tyre për të shkruar poezi, ese, shkrime të lira, por edhe të vizatojnë, pikturojnë përjetimet e tyre dhe t’i qesin në letër”, theksoi Rusinovci.

Me këtë rast, janë ndarë edhe tri çmimet fituese. Denis Hyseni mori çmimin e parë, Gentiana Azemi mori çmimin e dytë, ndërsa çmimin e tretë e mori Erzë Koca.