Kulturë

Jazz-kitaristi kosovar nis turneun me Rhonda Rossin

Prishtinë, 16 shkurt - “Harlem Stage” është një qendër e arteve performuese në New York, që ruan trashëgiminë e shumëllojshme artistike të Harlemit dhe ndikimin e pashlyeshëm që ka në kulturën amerikane. Të shumtë janë artistët me nam që ngjiten në këtë skenë.

Mbrëmjen e 14 shkurtit, “Harlem Stage”, qe nikoqire e një muzikanti nga Kosova. Jazz-kitaristi Faton Macula, e ka shoqëruar kantautoren Rhonda Ross, në një mbrëmje muzikore që i ka hapur rrugë turneut të përbashkët mes tyre. Ross, e cila është e bija e këngëtares legjendare, Diana Ross dhe producentit Barry Gordy, udhëheqës i “Motown Records”, ka bërë emër si artiste që eksploron ambientin social përreth saj duke trajtuar çështje mbi racën, gjininë, seksualitetin e spiritualitetin, nëpërmjet teksteve të këngëve të saja. Muzika e saj origjinale jeton ndërmjet tingujve jazz, funk e gospel, derisa në tekste përfshihen pyetjet e përgjigjet më të mëdha mbi jetën.

Koncerti i dyshes i mbajtur në “Harlem Stage” mbrëmjen e së mërkurës, është veç i pari që i ka paraprirë turneut të tyre.

“Më datën 14 shkurt, e patëm koncertin e parë dhe të gjitha biletat janë shitur. Koncertet e ardhshme do të bëhen publike në uebsaitin e saj dhe timin, sikurse edhe në rrjetet tona sociale si Facebook e Instagram”, ka thënë Macula (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.