Arti i Kosovës është rrugëtim i vazhdueshëm përballë sfidave

Arti i Kosovës është rrugëtim i vazhdueshëm përballë sfidave

14 shkurt 2018 09:35

Arti dhe kultura vazhdojnë ta dëshmojnë se janë mënyrë për thyerjen e barrierave, platformë që i kalon kufijtë e problemeve të ndryshme politike, shoqërore a sociale. Si të tilla janë shndërruar në mision që bart mesazhe dhe ndikon në zhvillimin e një shoqërie.

Edhe për Kosovën kultura dhe artistët e vendit kanë kontribuar dhe vazhdojnë këtë mision për shumë dekada. Por edhe tash sfidat dhe mungesa e përkrahjes nga shteti nuk janë të rralla, shkruan sot “Koha Ditore”.

Një përmbledhje gati 40-vjeçare, e zhvillimit të këtyre fushave në Kosovë, është paraqitur të martën në Galerinë Kombëtare të Kosovës në kuadër të konferencës dyditore “Tejkalimi i kufijve dhe njohja përmes artit”, organizuar nën patronazhin e Presidencës së Kosovës në kuadër të kalendarit të ngjarjeve për 10-vjetorin e Pavarësisë.

Grafisti i njohur Shyqri Nimani, themelues i Galerisë së Arteve asaj kohe në Prishtinë, qe drejtor i saj për një dekadë, prej vitit 1979 deri më 1989, ka folur për themelimin e këtij institucioni deri te sfidat e më pas edhe për mbylljen nga regjimi serb i asaj kohe.

Nimani ka thënë se GKK-ja ka blerë rreth 500 vepra që do t’u bashkoheshin 200 sosh sa kishte trashëguar ky institucion. Aktualisht GKK-ja në fondusin e vet ka 907 vepra. Për herë të fundit u pasurua me dy vepra të hershme të akademik Rexhep Ferrit, “Portreti i Pjetër Bogdanit” dhe “Portret i dyfishtë”.

Skulptori akademik, Luan Mulliqi, ka kujtuar se në projektin që kishte UNMIK-u në atë kohë, kultura nuk përfshihej. Ai kishte marrë përsipër drejtimin e GKK-së në një vend të shkatërruar tërësisht nga lufta, e që arti gjithsesi se konsiderohej luks.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, ka thënë se njerëzit e artit dhe kulturës duhet të bëhen bashkë dhe të iniciojnë projekte të cilat mund të ndikojnë në zhvillimin e artit dhe të kulturës në vend.

Drejtoresha aktuale e GKK-së, Arta Agani, ka thënë se shpreson se kjo konferencë do të ngjallë diskutime, të cilat do të ndihmojnë në vendosjen e një bashkëpunimi më komunikativ dhe të çojë në drejtim të krijimit të diçkaje konkrete.

Piktorja Zake Prelvukaj, e cila në cilësinë e kryetares së Këshillit Drejtues të GKK-së, ka folur për planet e këtij institucioni... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme