73 vjetori i gazetës “Rilindja”

73 vjetori i gazetës “Rilindja”

12 shkurt 2018 09:22

Sot bëhen 73 vjet, kur për herë të parë u botua gazeta në gjuhën shqipe “Rilindja”, e cila fillimisht ishte e përjavshme.

Numri i parë i gazetës doli më 12 shkurt 1945 në Prizren, ku pas numrit të 60-të, gazeta fillon të shtypet në Prishtinë.

Gazeta së pari shtypej si e përjavshme, nga qershori i vitit 1948 filloi të shtypet dy herë në javë, kurse nga nëntori i vitit 1958 filloi të dal si e përditshme.

Më 7 gusht 1990 u mbyll nga administrata e pushtuesit serb.

Në atë ditë gushti të vitit 1990, forca të mëdha policore serbe, të armatosura, hynë në selinë e redaksisë, në katin e pestë të Pallatit të medieve, ku tani gjendet një pjesë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe nga redaktorët e gazetarët kujdestarë kërkoi që ditën e nesërme të mos botohet gazeta.

Punëtorët e “Rilindjes” e kundërshtuan këtë akt urdhërues të policisë dhe vazhduan me përgatitjen e numrit duke shënuar edhe lajmin për hyrjen e dhunshme të policisë serbe.

Pastaj shkuan në shtypshkronjë për të përcjellë procesin e botimit të gazetës. Por edhe këtu, në kohën kur gazeta po futej në rotacione me të gjitha kronikat e asaj dite që kishin ndodhur në Kosovë, erdhi policia serbe dhe forcërisht ndaloi botimin e gazetës.

Por, vetëm pas katër ditësh, gazetarë dhe punëtorë të Rilindjes e të revistave të tjera të kësaj shtëpie rinisën botimin e “Rilindjes” me emra të tjerë botimesh, që nuk përfshiheshin në vendimin e Qeverisë së Serbisë që ndalonte dhe sanksiononte penalisht botimin. Kështu gjatë javës një ditë dilte me emrin “Fjala”, pastaj “Shkëndija”, “Zëri i rinisë”, “Pionieri”, “Gazeta e pionierit”, madje edhe me emrin “BAT” , për t’u ndalur një ditë në emrin “Bujku”, po ashtu gazetë në kuadër të shtëpisë gazetaro-botuese “Rilindja”.

Këto revista që u bënë gazeta dhe që u shndërruan një alternativë të re të “Rilindjes”, u botuan deri në janarin e vitin 1991, kur nisi të botohej gazeta e përditshme “Bujku”.

“Bujku” me disa ndërprerje të shkurta u botua deri në fund të vitit 1998.

Nga viti 1992 nisi botimi i “Rilindjes” në Zvicër e më pas edhe në Shqipëri, për të vazhduar deri me çlirimin e vendit, qershor 1999.

Në vitin 1999, më 22 shkurt, Rilindja, gjatë luftës u botua deri në vigjilje të bombardimeve NATO-s, më 24 mars 1999. Kjo është periudha kur në krye të saj u emërua kryeredaktor Binak Kelmendi.

Pas përfundimit të luftës, në korrikun vitit 1999, Rilindja filloi sërish të dalë në Prishtinë, por për shkak të keqmenaxhimit, ajo pas një kohe u mbyll.

Lokalet e “Rilindjes”, sikur dhe lokale të revistave e gazetave të tjera në ish-Pallatin e Shtypit, tash janë seli të disa ministrive të Republikës së Kosovës, ndërsa shumë punëtorë të tyre presin një përgjigje ose nga Qeveria e Kosovës ose nga Agjencia kosovare për privatizim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme