Promovohet në Tiranë libri mbi gjyshin e Rita Orës, “Besim Sahatçiu, një jetë në skenë” Foto: Faktor.al

Promovohet në Tiranë libri mbi gjyshin e Rita Orës, “Besim Sahatçiu, një jetë në skenë”

10 February 2018 23:04

Në sallën “Aleks Buda” në Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në prani të Familjes Sahatçiu-Ora, promovoi librin “Besim Sahatçiu – një jetë për ekranin dhe skenën”.

Salla ishte mbushur plot, me miq e dashamirës nga sfera të ndryshme të shoqërisë: shkrimtarë, historianë, artistë, politikanë, gazetarë, diplomatë, ushtarakë, pedagogë, shkencëtarë, studentë etj. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Rumanisë në Tiranë, prof. dr. inxh. Mirçea Perpelea, i cili në përshëndetjen e tij e vuri theksin në miqësinë tradicionale midis dy popujve tanë.

Folën shkrimtari dhe eseisti i mirënjohur Shpendi Topollaj, pedagogu i Universitetit të Tiranës Kujtim Kapllani, aktori i madh Reshat Arbana, operatori Afrim Spahiu, që ka xhiruar shumicën e filmave të Besim Sahatçiut, historiani Kadri Tarelli, i afërmi i familjes së Besimit, Valdet Sahatçiu dhe diplomati Spartak Topollaj, raporton “Faktor.al”.

Të gjithë u përqendruan në anë të ndryshme të veprës së Besim Sahatçiut, personalitet poliedrik i përmasave evropiane, i pari regjisor profesionist i Kosovës i shkolluar në Zagreb e Beograd, bir i një fisi atmëmëdhetar, i dalluar gjatë kohërave për luftën me pushkë e me penë për mbrojtjen e interesave mbarëkombëtare.

Për të pranishmit u projektua një sekuencë nga filmi “Era dhe lisi”, një ndër krijimet e panumërta të ekranizuara nga regjisori Besim Sahatçiu dhe u mbyll me interpretimin nga artisti i talentuar Dilan Reka të këngës “RIP” të këngëtares me famë botërore, Rita Orës, mbesës së Besim Sahatçiut, për të cilin ajo është shprehur plot patos: “Më mungon gjysh… Të dua shumë… Ti më bëre të besoj se kjo është e mundshme. Ti besove te unë para se unë vetë të besoja në veten time”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme